E Martë, 3 Nëntor 2026

BERLIN – Gjermania mbështet Danimarkën mes pretendimeve të Trump për aneksimin e Groenlandës

BERLIN, 11 qershor /ATSH-DPA/- Gjermania mbështet Danimarkën përballë pretendimeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për aneksimin e Groenlandës, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz.

“Parimi i paprekshmërisë së kufijve është i parashikuar në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk është i negociueshëm”, tha Merz në Berlin pas një takimi me kryeministren daneze Mette Frederiksen.

“Ne qëndrojmë fort përkrah miqve tanë danezë në këto raste dhe do të vazhdojmë të mbetemi kështu”, shtoi kancelari gjerman.

Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të marrë kontrollin e Grenlandës – një territor vetëqeverisës brenda Mbretërisë së Danimarkës – dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë ta bëjë këtë me forcë ushtarake.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance vizitoi bazën ushtarake amerikane në Pitufik në Groenlandën veriore, në fund të marsit.

Groenlanda dhe Danimarka kanë hedhur poshtë kategorikisht qasjet e Trump.

Frederiksen theksoi sot se sovraniteti i shteteve ishte një element thelbësor i rendit botëror dhe se sulmet ndaj parimeve dhe vlerave të tilla themelore nuk mund të lejoheshin.

“E ardhmja e Groenlandës mund të vendoset vetëm nga populli i saj”, theksoi ajo.

“Besoj që Trump e ka seriozisht çështjen e Groenlandës. Por edhe ne jemi seriozë”, shtoi ajo. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›