KIEV – Dhjetëra të plagosur ndërsa Rusia nis sulmet në të gjithë Ukrainën

KIEV, 26 shkurt /ATSH-DPA/- Dhjetëra njerëz u plagosën në sulmet e rënda ruse në të gjithë Ukrainën, tha sot pesidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke raportuar dëme në tetë rajone të vendit.
“Infrastruktura energjetike u vu sërish në shënjestër, duke përfshirë objektet e gazit në rajonin qendror të Poltava-s dhe nënstacionet në rajonet e Kievit dhe Dnipropetrovskut”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas tha se Rusia kishte lëshuar 420 dronë dhe 39 raketa, përfshirë 11 raketa balistike.
“Shumica prej tyre u interceptuan, falë pjesërisht raketave të mbrojtjes ajrore të furnizuara nga aleatët e Ukrainës”, tha ai.
Në qytetin e Kharkivit dhe zonat përreth, guvernatori i rajonit Oleh Syniehubov tha se, në sulmet ruse me dronë dhe raketa, ishin plagosur16 persona, përfshirë dy të mitur.
Kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov raportoi se një ndërtesë banimi ishte goditur dhe një tjetër ishte shkatërruar plotësisht.
Në qytetin jugor të Zaporizhias, guvernatori Ivan Fedorov tha se të paktën tetë persona ishin plagosur, përfshirë një djalë 8-vjeçar.
“Forcat ruse përdorën dronë luftarakë, raketa balistike dhe bomba rrëshqitëse, duke dëmtuar të paktën 19 ndërtesa banimi dhe dy qendra tregtare”, tha ai.
Në Kryvyi Rih, qytetin e lindjes së Zelenskyt në Ukrainën juglindore, guvernatori Oleksandr Vilkul raportoi dy të plagosur pas sulmeve me dronë dhe artileri.
Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit të Rusisë për më shumë se katër vjet me mbështetjen e vendeve perëndimore.
Përfaqësuesit nga Ukraina dhe SHBA-ja do të takohen sot në Gjenevë, për të diskutuar një program rindërtimi dhe përgatitjet për një takim të ri tripalësh me një delegacion rus. //a.i/