KIEV – Ministri i Jashtëm gjerman premton ndihmë të vazhdueshme ushtarake

KIEV, 30 qershor /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul mbërriti sot në Kiev, duke premtuar ndihmë të vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, ndërsa ajo vazhdon të mbrohet nga pushtimi rus në shkallë të gjerë, tani në vitin e tij të katërt.
“Liria dhe e ardhmja e Ukrainës është detyra më e rëndësishme e politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë”, tha Wadephul gjatë vizitës së tij të parë në kryeqytetin e Ukrainës që nga marrja e detyrës muajin e kaluar.
“Gjermania do të qëndrojë fort në anën e Ukrainës në mënyrë që ajo të mund të vazhdojë të mbrohet me sukses – me mbrojtje ajrore moderne dhe armë të tjera, me ndihmë humanitare dhe ekonomike”, shtoi ai.
Vizita e tij u mbajt sekrete për arsye sigurie deri në mbërritjen e tij sot në mëngjes, ndersa Wadephul udhëtoi drejt Kievit me tren së bashku me përfaqësues nga industria gjermane e armëve.
Gjermania është një nga furnizuesit kryesorë të Ukrainës me pajisje ushtarake, armë dhe ndihmë financiare.
Wadephul ka planifikuar të zhvillojë bisedime me ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha dhe të nderojë viktimat e masakrës së Babyn Yar të vitit 1941, ku forcat pushtuese naziste vranë më shumë se 33 000 burra, gra dhe fëmijë hebrenj në një përrua në periferi të qytetit.
Sipas Ministrisë së Jashtme Gjermane, janë planifikuar gjithashtu diskutime të nivelit të lartë midis udhëheqësve të biznesit gjerman dhe zyrtarëve ukrainas.
“Ukraina do të përcaktojë nëse Evropa do të mbetet një vend ku mbizotërojnë liria dhe dinjiteti njerëzor – apo do të bëhet një kontinent ku dhuna ridizejnon kufijtë”, tha Wadephul.
Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk po kërkonte paqe, por pushtim dhe nënshtrim me çdo kusht.
“Kjo është arsyeja pse ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur Ukrainën”, tha ai, duke shtuar se ky qëndrim i palëkundur tregonte vendosmërinë e Gjermanisë si evropianë.
Wadephul gjithashtu kritikoi Putinin për refuzimin e angazhimit në diplomaci të vërtetë, duke deklaruar se ndërsa Ukraina ka demonstruar vazhdimisht gatishmërinë e saj për të ndjekur negociata serioze për t’i dhënë fund luftës, Putini mbetet i palëkundur në kërkesat e tij të ngurta.
Wadephul vizitoi Ukrainën më 9 maj, disa ditë pasi mori detyrën, kur mori pjesë në një takim informal të ministrave të Jashtëm të BE-së në qytetin perëndimor të Lvivit.//a.i/