KIEV – Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, ndërprerje të reja të energjisë

KIEV, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Rusia sulmoi sërish sot infrastrukturën energjetike të Ukrainës, ndërsa moti bëhet gjithnjë e më i ftohtë në vendin e përfshirë nga lufta.
Sulmet kontribuuan pjesërisht që operatori shtetëror i rrjetit ukrainas, “Ukrenergo”, të urdhërojë sërish ndërprerje emergjente të energjisë në të gjithë vendin. Kompania konfirmoi ndërprerje të planifikuara të energjisë për konsumatorët industrialë gjatë gjithë ditës së nesërme.
“Këtë vjeshtë, rusët po përdorin çdo ditë për të sulmuar infrastrukturën tonë energjetike”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Telegram, i cili pritet të vtakohet nesër me presidentin amerikan Donald Trump.
Zelensky tha se u sulmua infrastruktura në rajonin Vinnytsia në perëndim dhe në rajonet Sumy dhe Poltava në verilindje.
Në qytetin Nizhyn në verilindje, një person u plagos nga një sulm rus.
Në rajonin Kharkiv në lindje, u godit infrastruktura kritike dhe një njësi e mbrojtjes civile.
Zelensky akuzoi Rusinë për sulme të dyfishta, të synuara për të lënduar zjarrfikësit dhe punonjësit e energjisë në zonën e goditur.
Dy raketa balistike ruse goditën gjithashtu sot një vend stërvitor të ushtrisë ukrainase në jug të vendit të enjten, duke shkaktuar viktima, disa prej të cilave fatale.
“Shprehim ngushëllimet tona familjeve dhe të afërmve të të vrarëve”, deklari i Grupi i Ushtrisë Jugore në Facebook. /Ad.Ab./