KIEV – Sulme masive ruse përpara bisedimeve për mbështetjen ndaj Ukrainës

KIEV, 21 korrik /ATSH/ – Rusia nisi sot një nga sulmet e saj më të mëdha ajrore në Ukrainë, disa orë përpara se Britania e Madhe dhe Gjermania të kryesonin një takim për të diskutuar planet e presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’u shitur armë aleatëve të NATO-s dhe për t’i dërguar ato në Ukrainë, sipas AP.
“Dy persona u vranë dhe 15 të tjerë u plagosën gjatë sulmit rus, përfshirë një 12-vjeçar”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Një dron goditi hyrjen e një stacioni metroje në lagjen Shevchenkivskyi të Kievit, ku njerëzit ishin strehuar.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i cili mbërriti sot në Kiev për bisedime me Zelensky, vizitoi disa nga zonat e dëmtuara.
Zelensky dhe Barrot diskutuan zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje, duke përfshirë një vendim të kompanive franceze për të filluar prodhimin e dronëve në Ukrainë, dhe për avancimin e rrugës së Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sulmi rus me dronë dhe raketa gjatë natës ndaj Kievit nënvizoi nevojën urgjente të Ukrainës për ndihmë të mëtejshme ushtarake perëndimore, veçanërisht në mbrojtjen ajrore, një javë pasi Trump tha se dërgesat do të mbërrinin në Ukrainë brenda disa ditësh.//a.i/