KIEV – Zelensky: Bisedimet me Rusinë të përqendrohen te të burgosurit dhe takimi me Putinin

KIEV, 21 korrik /ATSH-DPA/- Bisedimet e hollësishme për armëpushim nuk janë në axhendën e raundit të ardhshëm të negociatave me Rusinë, u tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diplomatëve të Kievit.
Takimi duhet të përqendrohet në kthimin e të burgosurve të luftës dhe fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, si dhe në përgatitjen e një takimi në nivel presidencial.
“Ne kemi nevojë për më shumë vrull në negociata për t’i dhënë fund luftës”, tha Zelensky, duke shpjeguar këmbënguljen e tij për një takim me presidentin rus, Vladimir Putin.
Ai deklaroi se rezultatet mund të priten vetëm nga diskutimet në nivelin më të lartë.
Kremlini deri më tani ka refuzuar negociatat e drejtpërdrejta midis presidentëve, duke argumentuar se bisedime të tilla duhet të jenë të përgatitura mirë për të dhënë rezultate.
Sipas Moskës, baza e nevojshme duhet të hidhet së pari në nivele më të ulëta.
Në dy raundet e para të negociatave të drejtpërdrejta midis Kievit dhe Moskës në maj dhe qershor, të dyja palët ranë dakord për shkëmbimin e të burgosurve në shkallë të gjerë dhe kthimin e ushtarëve të rënë.
Zelensky propozoi zhvillimin e negociatave të reja me Moskën këtë javë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, rikonfirmoi interesin e Moskës për bisedime, të cilat, ashtu si raundet e mëparshme në maj dhe qershor, pritet të zhvillohen në Stamboll.
Sipas raportimeve të medias, një takim është planifikuar paraprakisht për 24 ose 25 korrik.//a.i/