E Martë, 3 Nëntor 2026

KIEV – Të paktën 12 viktima prej sulmeve me dronë ruse

KIEV, 25 maj /ATSH/ – Një sulm masiv me dronë dhe raketa ruse shënjestroi kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe rajone të tjera në vend për natën e dytë radhazi, duke vrarë të paktën 12 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, deklaruan zyrtarët ukrainas për AP.

Shkalla e sulmit ishte mahnitëse. Rusia goditi Ukrainën me 367 dronë dhe raketa, duke e bërë këtë sulmin më të madh ajror të luftës më shumë se trevjeçare, sipas Yuriy Ihnat, një zëdhënës i Forcave Ajrore të Ukrainës.

Në total, Rusia përdori 69 raketa të llojeve të ndryshme dhe 298 dronë, përfshirë dronët Shahed të projektuar nga Irani, tha ai.

”Ishte sulmi më masiv për sa i përket numrit të armëve të sulmit ajror në territorin e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë në vitin 2022”, theksoi Ihnat.

Për Kievin, dita ishte veçanërisht e zymtë, pasi qyteti festoi Ditën e Kievit, një festë kombëtare që bie të dielën e fundit të majit, duke përkujtuar themelimin e tij në shekullin e 5-të.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se raketat dhe dronët rusë goditën më shumë se 30 qytete dhe fshatra dhe u bëri thirrje partnerëve perëndimorë të shtojnë sanksionet ndaj Rusisë.

Kjo ka qenë një kërkesë e hershme e udhëheqësit ukrainas, por që – pavarësisht paralajmërimeve drejtuar Moskës nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa – nuk është materializuar në mënyra për ta penguar Rusinë. /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›