KIEV – Ukraina godet sërish me dronë objekte ruse të naftës

KIEV, 5 prill /ATSH-DPA/ – Ukraina u vuri flakën disa objekteve ruse të naftës, pas lëshimit të dronëve, thanë sot zyrtarë rajonalë.
Në rajonin e Nizhny Novgorod, guvernatori Gleb Nikitin tha në Telegram se 30 sulme me dronë ukrainas ishin sprapsur.
”Mbeturinat që binin shkaktuan zjarre në dy objekte që i përkisnin kompanisë së naftës ‘Lukoil”, tha ai.
Ndërtesa banimi dhe një central i kombinuar i ngrohjes dhe energjisë u dëmtuan gjithashtu, me raportime për ndërprerje të energjisë elektrike.
Nuk pati të lënduar, sipas informacionit paraprak.
”Në rajonin e Leningradit, i cili kufizohet me qytetin e Shën Petërburgut, i cili më parë quhej edhe Leningrad, porti i Primorskut u shënjestrua përsëri”, tha guvernatori Aleksandr Drozdenko në Telegram.
Ai tha se u sprapsën gjithsej 19 sulme me dronë ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se mbrojtja ajrore shkatërroi 87 dronë ukrainas mbi objektiva ruse gjatë natës.
Ukraina ka shënjestruar vazhdimisht objektet ruse të energjisë në luftën e saj mbrojtëse kundër pushtimit në shkallë të plotë që ka vazhduar për më shumë se katër vjet.
Qëllimi i Kievit është të minimizojë të ardhurat e Moskës nga shitja e naftës dhe gazit.
Rusia financon ekonominë e saj të luftës me të ardhurat nga eksportet e energjisë.
Më parë këtë muaj, Moska vendosi një ndalim të ri për eksportet e benzinës deri në fund të korrikut për të mbajtur çmimet të qëndrueshme mes kushteve të tensionuara në tregjet e energjisë./ a.jor.