KIEV – Ukraina i përgjigjet me kundërofertë armëpushimit treditor të Putinit

KIEV, 28 prill /ATSH-DPA/- Ukraina i është përgjigjur deklaratës së shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, për një armëpushim treditor për të shënuar përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me një kundërofertë për një armëpushim të menjëhershëm dhe më afatgjatë.
“Nëse Rusia dëshiron vërtet paqe, ajo duhet të pushojë menjëherë zjarrin”, shkroi ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha në X.
“Ukraina është gati të mbështesë një armëpushim të përhershëm, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës – por çdo armëpushim fillestar duhet të zgjasë të paktën 30 ditë dhe jo të mbulojë vetëM periudhën e paradës ushtarake të Moskës”, shtoi Sybiha.
Më herët, presidenti rus Putin shpalli në mënyrë të njëanshme një armëpushim treditor që do të zgjasë nga 8 deri në 10 maj.
“Rusia pret që Ukraina t’i përmbahet kësaj, përndryshe do të kundërpërgjigjet me zjarr”, tha Kremlini.
Më 9 maj, Moska do të presë paradën e fitores në Luftën e Dytë Botërore në Sheshin e Kuq, ku Putini ka planifikuar të presë më shumë se 20 krerë shtetesh dhe qeverish.
Njoftimet për armëpushim duket se synojnë të demonstrojnë një gatishmëri për t’u angazhuar në dialog – veçanërisht ndaj presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila ka vazhduar për më shumë se tre vjet.
Ekipi i Trump shprehu pakënaqësi me kërkesën e fundit te Moskës. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se presidenti i SHBA-së e kishte bërë të qartë se donte të arrihej një armëpushim i përhershëm./ /a.i/