E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Ukraina kërkon një forcë prej 800 000 ushtarësh sipas planit të paqes

KIEV, 11 dhjetor /ATSH-DPA/- Ukraina kërkon mbajtjen e një force prej 800 000 trupash për ushtrinë e saj sipas një versioni të rishikuar të planit të paqes të SHBA-së – për t’i dhënë fund luftës pothuajse 4-vjeçare me Rusinë.

“Kjo është forca e vërtetë e ushtrisë së sotme për të cilën është rënë dakord”, u tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky gazetarëve sot në Kiev.

“Kjo pikë e draftit aktual prej 20-pikësh është rishikuar mjaftueshëm”, shtoi ai.

Plani origjinal i SHBA-së – që u bë i njohur në nëntor – përmendi një limit prej 600 000 trupash ukrainase.

Megjithatë, vëzhguesit dyshojnë se ushtria ende e ka këtë numër në realitet. Sipas zyrës së prokurorit publik, ka pasur më shumë se 300 000 raste dezertimi ose mungese nga trupat që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022.

Pas një rekordi prej më shumë se 21 600 rastesh të regjistruara në tetor, autoritetet i klasifikuan shifrat si konfidenciale që nga nëntori e tutje.

Përpara luftës, Ukraina kishte një forcë të përhershme prej rreth 290,000 ushtarësh.

Për të kompensuar çdo disavantazh numerik në krahasim me Rusinë, Kievi pret që aleatët e tij perëndimorë të kontribuojnë ndjeshëm në shpenzimet ushtarake – në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Para fillimit të luftës, Ukraina ishte vendi më i varfër në Evropë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Shtetet donatore të huaja tani kontribuojnë më shumë se 40% të buxhetit kombëtar, ndërsa Ukraina kërkon të bashkohet me Bashkimin Evropian. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›