E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Von der Leyen: Nuk mund të caktojmë një datë për anëtarësimin e Ukrainës në BE

KIEV, 24 shkurt /ATSH-ANSA-AFP/ – E kuptoj plotësisht se është e rëndësishme që ju të keni një datë të qartë për anëtarësim në BE, një afat që përfaqëson një qëllim që duhet arritur, deklaroi sot në Kiev presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Megjithatë, ju e dini se, nga ana jonë, nuk është e mundur të caktohen data të tilla”, theksoi ajo në një konferencë për shtyp në Kiev, së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe presidentin e këshillit Evropian, Antonio Costa.

“Ukraina është në rrugën e duhur për t’u bërë anëtare e BE-së. Nga ana ime, Kievi na inkurajon fuqimisht të ruajmë këtë ritëm të mirë në reformat e nevojshme. Jam e bindur në këtë proces”, theksoi ajo.

Ajo shtoi edhe se Bashkimi Evropian do t’i japë Ukrainës kredinë prej 90 miliardë eurosh në një mënyrë ose në një tjetër, pavarësisht bllokimit të Budapestit.

“Ne do ta respektojmë angazhimin tonë në lidhje me këtë kredi, në një mënyrë ose në një tjetër”, këmbënguli Von der Leyen.

“Kemi disa mundësi. Dhe do t’i përdorim ato”, theksoi komisionerja, e cila ndodhet në Kiev për të demonstruar mbështetjen evropiane për Ukrainën në përvjetorin e katërt të pushtimit rus të vendit./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›