KIEV – Zelensky kërkon nga Gjermania më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore IRIS-T

KIEV, 30 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Gjermanisë të furnizojë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore IRIS-T për t’iu kundërvënë sulmeve të rënda ruse me dronë dhe raketa.
Ai e diskutoi këtë çështje me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul gjatë një takimi në kryeqytetin ukrainas.
Në fillim të vizitës së tij të parë në Kiev që nga marrja e detyrës në fillim të majit, Wadephul inspektoi një instalim të mbrojtjes ajrore IRIS-T, i cili luan një rol vendimtar në mbrojtjen e Kievit nga sulmet ruse.
Që nga prilli, Gjermania i ka siguruar Ukrainës gjashtë nga këto sisteme dhe ka premtuar edhe 10 të tjera.
Gjermania dhe Ukraina synojnë të rrisin bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ndërsa vizitoi Kievin për herë të parë që nga marrja e detyrës muajin e kaluar.
“Bashkëpunimi ynë në mbrojtje është një kartë e fortë e vërtetë”, tha Wadephul në një takim me homologun e tij ukrainas Andrii Sybiha në Kiev.
“Është një vazhdim logjik i furnizimeve tona materiale dhe ne mund të përfitojmë prej tij nga të dyja palët. Me pasurinë tuaj të ideve dhe përvojës, ne gjithashtu do të bëhemi më të mirë”, shtoi ai.
Wadephul u shoqërua në Kiev nga përfaqësues të lartë të kompanive gjermane të mbrojtjes dhe tha se do t’i çonte drejtuesit e mbrojtjes në një takim me presidentin Volodymyr Zelensky.
“Unë besoj se është në interes të të dyja palëve që të punojmë më ngushtë së bashku këtu”, tha ai.
Qëllimi është të krijohen sipërmarrje të reja të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes “në mënyrë që Ukraina të mund të prodhojë më shpejt dhe më shumë për mbrojtjen e saj,” tha ministri i Jashtëm./ /os/