E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky u kërkon partnerëve evropianë të përshpejtojnë ndihmën për mbrojtjen ajrore

KIEV, 13 shkurt /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar partnerëve evropianë të përshpejtojnë dërgesat e raketave të mbrojtjes ajrore pas sulmeve të rënda ruse.

“Kjo është një detyrë kyçe tani jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë në Evropë”, tha Zelensky në një videomesazh.

“Rusët nuk duhet të mësohen të besojnë se raketat dhe dronët e tyre “Shahed” i ndihmojnë në ndonjë mënyrë”, shtoi ai.

Më herët, Zelensky tha se sistemet e mbrojtjes ajrore “Patriot” nuk ishin në gjendje të funksiononin në janar për shkak të mungesës së municioneve.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha dje pas konsultimeve në një takim të NATO-s në Bruksel se Gjermania do të siguronte pesë raketa shtesë PAC-3 për sistemet “Patriot” në Ukrainë nëse vendet e tjera mbështetëse së bashku kontribuonin me një total prej 30 raketash PAC-3.

Pistorius tha se ishte optimist se objektivi do të arrihej.

“Të gjithë të përfshirët ishin të vetëdijshëm se qëllimi ishte të shpëtoheshin jetë dhe se ishte çështje ditësh, jo javësh apo muajsh”, shtoi ai.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, e përshkroi këtë veprim si një iniciativë shumë të mirë dhe theksoi se raketa të tjera interceptuese priteshin përmes programit të blerjes së armëve PURL të NATO-s.

Sipas skemës PURL, vendet e NATO-s punojnë së bashku për të blerë pajisje mbrojtëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Ukrainën.

Sulmet ruse që përfshinin 25 raketa dhe më shumë se 200 dronë shkaktuan dje dëme të rënda në infrastrukturën energjetike në Kiev, Odesa dhe Dnipro.

Zelensky shprehu gjithashtu skepticizëm në lidhje me bisedimet e planifikuara në SHBA javën e ardhshme – që synojnë t’i japin fund luftës gati 4-vjeçare.

Ai tha se Rusia deri më tani nuk kishte dhënë asnjë përgjigje të prerë për propozimet.

Ukraina dhe Rusia së fundmi zhvilluan negociata në Emiratet e Bashkuara Arabe, me SHBA-në që vepronte si ndërmjetëse. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›