MYNIH – Merz: Rendi i vjetër botëror nuk ekziston më, është rikthyer rivaliteti i fuqive të mëdha

MYNIH, 13 shkurt /ATSH-DPA/- Rendi i vjetër botëror “nuk ekziston më” dhe është zëvendësuar nga një peizazh shumë më i pasigurt – i formuar nga rivaliteti i fuqive të mëdha – dhe një fokus i ripërtërirë në interesat kombëtare, tha sot kancelari gjerman, Friedrich Merz në një mesazh drejtuar aleatëve evropianë.
Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, i cili u shndërrua në një thirrje zgjimi për Evropën, Merz paralajmëroi se rendi ndërkombëtar që mbështetej në të drejta dhe rregulla nuk ekzistonte më.
“Ky rend, aq i papërsosur sa ishte edhe në ditët e tij më të mira, nuk ekziston më”, tha ai.
“Ne kemi kaluar pragun e një epoke që karakterizohet sërish hapur nga fuqia dhe politika e fuqive të mëdha”, tha Merz në fjalimin hapës të konferencës vjetore të nivelit të lartë mbi politikën ndërkombëtare të sigurisë.
Merz tha se “fraza” më e dukshme e këtij realiteti të ri ishte “lufta e Rusisë kundër Ukrainës”.
Gjithashtu, ai kritikoi Kinën, duke thënë se ekonomia e dytë më e madhe në botë po “shfrytëzonte” në mënyrë sistematike varësitë e vendeve të tjera.
“Kina po e riinterpreton rendin ndërkombëtar për t’iu përshtatur qëllimeve të veta”, tha ai duke iu referuar strategjisë së Pekinit. //a.i/