E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Vdes Cary-Hiroyuki Tagawa, aktori i ”Mortal Combat”

TOKIO, 5 dhjetor /ATSH/ – Cary-Hiroyuki Tagawa, aktor japonez i lindur në Tokio dhe i njohur për rolet e tij në filmin ”Mortal Combat” dhe serialin ”The Man in the High Castle”,  vdiq në moshën 75-vjeçare, sipas abcnews.com.

“Ai vdiq në Santa Barbara, Kaliforni, për shkak të komplikacioneve nga një goditje në tru”, njoftoi menaxherja e tij, Margie Weiner.

Ajo e përshkroi Tagawan si një person “të rrallë, bujar dhe i përkushtuar pafundësisht ndaj artit të tij”.

Karriera e tij në film dhe televizion u bë më e njohur në vitin 1987 me pjesëmarrjen në filmin fitues të Oscar “The Last Emperor” dhe më pas luajti në filma si “Pearl Harbor”, “Planet of the Apes” dhe “License to Kill”.

Ai gjithashtu luajti rolin e Baronit në “Memoirs of a Geisha” (2005).

Tagawa u rrit kryesisht në jugun e SHBA-së, pasi babai i tij, i lindur në Hawaii, ishte i stacionuar në bazat ushtarake amerikane.

Ai nisi aktrimin në moshën 36 vjeç, pasi kishte punuar më parë si fermer, shofer limuzine, shofer kamioni për furnizime pice dhe foto-gazetar.

Përveç aktrimit, Tagawa zhvilloi sistemin e tij të artit marcial ”Ninjah Sports” duke përdorur artet marciale si mjet stërvitjeje dhe shërimi.

Ai punoi me sportistë profesionistë, përfshirë kampionin e botës në boks Brian Viloria dhe këshilloi lojtarët e ekipit të futbollit të Universitetit të Hawait.

Ai ishte gjithashtu i vetëdijshëm për sfidat që kanë aktorët aziatikë në Hollywood, duke thënë se mundësitë nuk janë rritur shumë, edhe pse ekspozimi komercial është më i madh./ /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›