E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Vdes Robert Carradine, aktori i njohur i “Revenge of the Nerds”

LOS ANXHELES, 24 shkurt /ATSH/- Aktori i njohur amerikan, Robert Carradine ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, duke kryer vetëvrasje.

Ai njihej për rolet e tij në “The Long Riders”, “Revenge of the Nerds” dhe “Lizzie McGuire”, sipas “Deadline”.

Sipas vëllait të tij më të madh, Keith Carradine, Robert ishte shtylla e familjes, por luftoi për dy dekada me çrregullimin bipolar, që në fund e mposhti.

“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për humbjen e të dashurit tonë, babait, gjyshit, xhaxhait dhe vëllait, Robert Carradine. Ai ishte një dritë për të gjithë rreth tij dhe shpresojmë që historia e tij të ndihmojë në luftimin e stigmatizimit ndaj sëmundjeve mendore. Në këtë moment kërkojmë privatësi për të vajtuar këtë humbje të madhe”, tha familja e tij.

Carradine, i lindur më 24 mars 1954, ishte djali më i vogël i aktorit John Carradine dhe vëllai i aktorëve David, Keith dhe Christopher Carradine.

Ai debutoi në filmin “The Cowboys” (1972) pranë John Wayne dhe më pas pati role të rëndësishme në “Coming Home”, “Mean Streets”, “The Long Riders”, dhe “Revenge of the Nerds”.

Përveç aktrimit, Robert donte muzikën dhe garat me makina. Ai luante kitarë, shpesh me vëllezërit Keith dhe David, dhe garoi në “Grand Prix”, si pjesë e ekipit “Lotus” me Paul Newman.

Robert ishte babai i tre fëmijëve: Ever, Marika dhe Ian, dhe gjyshi i disa nipërve dhe mbesave. Të gjithë e kujtojnë si një njeri të dashur, gazmor dhe të përkushtuar ndaj familjes dhe miqve. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›