KOMENT – Ukraina shënon përvjetorin e pushtimit rus mes zërave se marrëveshja me SHBA-në për mineralet është afër

KIEV, 24 shkurt /ATSH/- Ukraina priti sot udhëheqësit evropianë për të shënuar përvjetorin e katërt të pushtimit rus, ndërsa zyrtarët e lartë amerikanë munguan në ngjarjen historike të vendit, duke pasqyruar qartë qëndrimin e presidentit te SHBA-se, Donald Trump ndaj Moskës, që nga rikthimi i tij në pushtet, sipas “Reuters”.
Më herët, Kievi tha se ishte në fazat e fundit të arritjes së një marrëveshjeje me Uashingtonin, për t’i siguruar SHBA-së akses në pasuritë e saj të mineraleve të rralla.
Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Zelensky pritej të udhëtonte në Uashington këtë javë ose javën tjetër për të nënshkruar marrëveshjen për mineralet, të cilën e quajti “shumë afër”, dhe sugjeroi se lufta në Ukrainë mund të përfundonte brenda disa javësh. Por, ai nuk dha detaje të hollësishme.
“Fokusi ynë është në arritjen e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur dhe në fund të fundit të një paqeje të përhershme”, tha Trump gjatë një konference të përbashkët për shtyp së bashku me Macron.
Në një intervistë të mëvonshme për “Fox News”, Macron tha se besonte që armëpushimi në Ukrainë ishte i realizueshëm në javët e ardhshme.
“Arritja e një marrëveshjeje mineralesh midis SHBA-së dhe Kievit do të ishte një nga mënyrat më të mira për të siguruar një angazhim nga Uashingtoni”, tha ai.
Megjithatë, Trump nuk tha se marrëveshja e mineraleve do të përmbante garancitë e qarta të sigurisë së SHBA-së, që Ukraina ka kërkuar dhe ia vuri barrën Evropës për “rolin qendror” në garantimin e sigurisë afatgjatë të vendit.
Marrëveshja e mineraleve është “në zemër” të përpjekjes së Kievit për të fituar mbështetjen e SHBA-së, por zyrtarët kanë negociuar në hijen e një lufte të jashtëzakonshme fjalësh midis Trump dhe Zelensky, i cili tha se udhëheqësi i SHBA-së po jetonte në një “flluskë dezinformimi”.
Nxitimi i Trump për të imponuar një fund të luftës së Rusisë në Ukrainë – dhe përqafimi i tij i dukshëm i një pjese të narrativës së Kremlinit – kanë nxitur frikën e lëshimeve të mëdha territoriale të SHBA-së ndaj presidentit rus Vladimir Putin, që mund të minojnë sigurinë në Ukrainë dhe Evropë dhe të ndryshojnë peizazhin gjeopolitik.
Zelensky refuzoi të nënshkruante një draft të mëparshëm të një marrëveshjeje mineralesh, ndërsa Uashingtoni kërkonte të drejta për 500 miliardë dollarë pasuri natyrore të Ukrainës.
Kievi kundërshtoi se kishte marrë shumë më pak ndihmë amerikane se kaq dhe se marrëveshja nuk i përmbante garancitë e sigurisë që i nevojiteshin Ukrainës. //a.i/