E Diel, 1 Nëntor 2026

KINEMA – Vdes mjeshtri hungarez i filmit Bela Tarr

BUDAPEST, 6 janar /ATSH-AFP/ – Regjisori hungarez i filmit, Bela Tarr vdiq sot në moshën 70-vjeçare, njoftoi regjisori Bence Fliegauf për agjencinë kombëtare hungareze të lajmeve, MTI në emër të familjes Tarr.

Mjeshtri hungarez i filmit, i cili vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, ishte i njohur për punën e tij shpesh të zymtë, përfshirë “Satantango” (1994), një epik shtatëorësh rreth rënies së komunizmit në Evropën Lindore dhe rënies së tij materiale dhe shpirtërore, i adaptuar nga romani i fituesit të çmimit Nobel në Letërsi, Laszlo Krasznahorkai, bashkëpunëtorit të tij të ngushtë.

“Me trishtim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të regjisorit Bela Tarr herët këtë mëngjes pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë”, deklaroi gjithashtu Shoqata Hungareze e Filmit në njoftimin e saj për shtyp.

“Njeriu më i lirë që kam njohur ndonjëherë ka vdekur”, reagoi kryebashkiaku i Budapestit Gergely Karacsony në një deklaratë, duke lavdëruar dashurinë e tij për “atë që është thelbësore tek qeniet njerëzore: dinjitetin njerëzor”.

I lindur më 21 korrik 1955, në qytetin universitar të Pecs, në Hungarinë jugperëndimore, Bela Tarr xhiroi filmin e tij të parë amator për punëtorët romë në moshën 16 duke lënë të kuptohet tashmë angazhimi i tij social.

Gjashtë vjet më vonë, në vitin 1977, ai drejtoi filmin e tij të parë artistik, ”Family Nest”, me mbështetjen e një studioje eksperimentale filmash, ”Bela Balazs”, në Budapest, ku ishte trajnuar si regjisor.

Ai është regjisori i filmit të parë të pavarur hungarez, ”Damnation”, i cili u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 1988. Ai bashkëshkruan filmin me Laszlo Krasznahorkai.

“Isha me fat që gjeta rrugën time për të mbijetuar: të bëj filma është gjëja ime”, i tha ai gazetës franceze ”Le Figaro” në vitin 2005.

Shpesh i referuar si “Tarkovsky hungarez”, ai drejtoi gjithashtu ”Macbeth” në vitin 1982 dhe ”Werckmeister’s Harmonies”, i cili pati sukses në Kanë në vitin 2000.

Pas filmit të tij të fundit, ”The Torinos Horse”, në vitin 2011, ai njoftoi tërheqjen e tij nga puna, duke drejtuar më pas vetëm dy filma të shkurtër dhe tani duke preferuar të japë mësim filmi në Hungari, Gjermani dhe Francë.

“Kisha bërë gjithçka që doja”, i tha ai të përjavshmes hungareze HVG në vitin 2019./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›