IRAN – 35 të vrarë dhe 1 200 të ndaluar në protestat ekonomike

TEHERAN, 6 janar /ATSH/ – Numri i viktimave nga dhuna që shoqëron protestat në Iran është rritur në të paktën 35 persona, thanë sot aktivistë të të drejtave të njeriut, ndërsa teokracia e vendit pranoi trazirat në një provincë perëndimore, ku forcat e sigurisë raportohet se kanë bastisur një spital, sipas AP.
Shifrat u publikuan nga Human Rights Activists News Agency, me seli në SHBA, e cila tha se më shumë se 1 200 persona janë ndaluar gjatë protestave që po zgjasin prej më shumë se një jave.
Sipas organizatës, mes viktimave janë 29 protestues, katër fëmijë dhe dy pjesëtarë të forcave të sigurisë iraniane. Demonstratat janë shtrirë në mbi 250 zona, në 27 nga 31 provincat e Iranit.
Grupi, i cili mbështetet në një rrjet aktivistësh brenda Iranit për raportimet e tij, ka treguar saktësi edhe gjatë trazirave të mëparshme.
Agjencia gjysmëzyrtare FARS, e konsideruar e afërt me Gardën Revolucionare paraushtarake, raportoi mbrëmë se rreth 250 policë dhe 45 anëtarë të forcës vullnetare Basij janë plagosur gjatë protestave.
Megjithatë, qeveria iraniane nuk ka publikuar statistika të përgjithshme apo informacion të detajuar mbi situatën./ /Ad.Ab./ a.jor.