KLGJ rrëzon 10 kërkesa për emërim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) zhvilloi sot mbledhjen plenare të radhës, ku shqyrtoi një sërë çështjesh që lidhen me vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve, procedurat disiplinore, delegimet dhe çështje administrative.
Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi raportin e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtares Brunilda Kadi për vitin 2024.
Gjatë mbledhjes, KLGJ vendosi të shtyjë shqyrtimin e projektvendimit për vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarit Adrian Shega për periudhën 2021-2023.
Këshilli vendosi gjithashtu caktimin me short të relatorit për procedimin disiplinor të nisur ndaj magjistrates Suela Dashi, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.
Një tjetër vendimmarrje lidhej me gjyqtarin Sokol Ibi, për të cilin KLGJ miratoi zgjatjen e afatit të caktimit në skemën e delegimit dhe më pas vendosi ricaktimin e tij në Gjykatën Administrative të Apelit.
Këshilli shqyrtoi edhe kërkesat për caktim në pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke vendosur rrëzimin e aplikimeve për kandidatët: Suela Zhegu, Firdes Shuli, Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi, Pamela Qirko, Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Roland Ilia.
Pas zhvillimit të shortit, KLGJ vendosi zëvendësimin e nëpunëses përgjegjëse për vlerësimin, Merita Karaj, në procedurat e vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarëve.
Në vijim, Këshilli deklaroi të përfunduar pa një vendim përfundimtar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidaten në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2026-2027, në profilin ndihmës ligjor, Kledjana Llalla. /j.p/r.e/