KOMENT – A po i braktisin Netanyahu dhe Trump negociatat për armëpushim në Gazë?

LONDËR, 25 korrik /ATSH/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump duket se i kanë braktisur negociatat e armëpushimit në Gazë me grupin militant palestinez Hamas – një ditë pasi tërhoqën delegacionet e tyre nga bisedimet, sipas “Reuters”.
Netanyahu tha se Izraeli tani po shqyrtonte disa mundësi “alternative” për të arritur qëllimet e tij – për të kthyer pengjet nga Gaza dhe për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në territor.
Dje në mbrëmje, i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff, tha se Hamasi ishte fajtor për bllokimin e negociatave të armëpushimit, të ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti.
Armëpushimi i propozuar do të zgjaste 60 ditë, gjatë të cilave do të lejohej ndihma shtesë në Gazë, dhe disa nga 50 pengjet e mbetura do të liroheshin në këmbim të të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se Hamasi nuk dëshironte një marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe se ai beson se udhëheqësit e grupit militant tani do të “ndiqen”.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi Steve Witkoff, i dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme, ndërpreu bisedimet indirekte me grupin militant palestinez, në Doha dhe mes shqetësimeve ndërkombëtare në rritje për krizën humanitare në Gazë.
“Është shumë keq, pasi ka arritur në një pikë ku do të duhet ta përfundojme punën”, tha presidenti i SHBA-së.
“Mendoj se ata do të ndiqen”, tha Trump duke iu referuar udhëheqësve të Hamasit.
Deklarata e Trump lë pak ose aspak hapësirë për rifillimin e negociatave për të ndaluar luftimet, në një kohë kur shqetësimi ndërkombëtar po rritet për shkak të përkeqësimit të urisë në Gazën e shkatërruar nga lufta.
Trump reagoi gjithashtu ndaj njoftimit të presidentit francez, Emmanuel Macron se Franca do të ishte fuqia e parë e madhe perëndimore që do të njihte shtetin e pavarur palestinez.
“Ai është një djalë shumë i mirë, më pëlqen, por kjo deklaratë nuk ka peshë”, tha Trump.
Netanyahu e quajti vendimin një “shpërblim për terrorizmin”.
Vendet perëndimore janë angazhuar për dekada të tëra për një shtet të pavarur palestinez, por prej kohësh kanë thënë se ai duhet të lindë nga një proces paqeje i negociuar.
Dy fuqitë e tjera të mëdha të Evropës, Britania e Madhe dhe Gjermania, e bënë të qartë se nuk kishte plane për të vepruar menjëherë për shtetësinë palestineze. //a.i/