KOMENT – Evropa “e bashkuar” përballë kërcënimeve dhe tarifave të Trump

UASHINGTON, 20 janar /ATSH/- Përshkallëzimi i tensionit midis SHBA-së dhe aleatëve të saj në NATO mbi fatin e Groenlandës duket se do të jetë një temë dominuese e bisedimeve, ndërsa udhëheqësit mblidhen në Forumin Ekonomik Botëror të kësaj jave në Davos, me presidentin e SHBA-së Donald Trump që deklaroi sërish dje se aneksimi i ishullit Arktik nga SHBA-ja ishte e domosdoshme, sipas “Good Morning America” (GMA).
“Unë rashë dakord për një takim të palëve të ndryshme në Davos, Zvicër. Siç ua shpreha të gjithëve, shumë qartë, Groenlanda është e domosdoshme për Sigurinë Kombëtare dhe Botërore. Nuk mund të ketë kthim pas – për këtë”, tha Trump tha në një postim në media sociale se, pas një bisede telefonike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Groenlanda është një territor vetëqeverisës i Mbretërisë së Danimarkës.
Trump e ngriti për herë të parë perspektivën e blerjes së ishullit të pasur me minerale në mandatin e tij të parë.
Politikanët e Danimarkës dhe të Groenlandës i kanë refuzuar vazhdimisht propozime të tilla.
Përpara udhëtimit të tij të planifikuar për në Davos, Trump postoi dje në mediet sociale një foto të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ku shfaqej duke vendosur një flamur amerikan në tokën e asaj që një tabelë aty pranë thoshte se ishte territori amerikan i Groenlandës, i themeluar në vitin 2026.
Zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio – e shoqëronin atë në foton e postuar.

Ndërkohë, udhëheqësit evropianë vazhduan të kundërshtonin ambiciet e Trump dhe të publikonin përpjekjet e tyre të koordinimit për këtë çështje.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha në një postim për X se ishte takuar me një delegacion dypartiak të Kongresit për të diskutuar si luftën e Rusisë në Ukrainë ashtu edhe tensionet e fundit rreth Groenlandës.
Von der Leyen tha se ajo kishte theksuar nevojën për të respektuar pa mëdyshje sovranitetin e Groenlandës dhe të Mbretërisë së Danimarkës.
“Kjo është me rëndësi të madhe për marrëdhënien tonë transatlantike”, tha Von der Leyen.
“Bashkimi Evropian mbetet i gatshëm të vazhdojë të punojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët e tjerë, në bashkëpunim të ngushtë me Danimarkën, për të çuar përpara interesat tona të përbashkëta të sigurisë”, tha ajo.
“Ne diskutuam gjithashtu tregtinë dhe investimet transatlantike. Ato janë një aset i madh për ekonomitë e BE-së dhe SHBA-së. Tarifat bien ndesh me këto interesa të përbashkëta”, shkroi Von der Leyen.
Duke folur sot në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos, Von der Leyen tha se tarifat shtesë të propozuara nga SHBA-ja ishin “një gabim”.
“Në politikë dhe në biznes, marrëveshja mbetet marrëveshje”, tha Von der Leyen duke iu referuar marrëveshjes tregtare BE -SHBA në korrik
“Zhytja jonë në një spirale në rënie do të ndihmojë vetëm kundërshtarët. Përgjigja jonë do të jetë e palëkundur… e bashkuar dhe proporcionale”, shtoi ajo.
Trump ka sugjeruar që sovraniteti i SHBA-së mbi Grenlandën është i nevojshëm për të garantuar sigurinë amerikane dhe për të zbutur ndikimin kinez dhe rus në rajonin e Arktikut.
Një marrëveshje mbrojtjeje e vitit 1951 tashmë i jep ushtrisë amerikane akses në Groenlandë, por Trump ka sugjeruar që marrëveshja është e pamjaftueshme.
Danimarka dhe aleatët e saj evropianë janë përpjekur të zbusin shqetësimet në lidhje me cenueshmërinë e supozuar të Arktikut përmes rritjes së shpenzimeve ushtarake dhe duke dërguar kontingjente të vogla trupash në Grenlandë javën e kaluar.
Por, Trump i interpretoi dislokimet si një provokim dhe njoftoi tarifa të reja prej 10% për të gjitha mallrat nga tetë vendet – Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda – që dërguan trupa.
Udhëheqësit evropianë reaguan ndaj vendimit të Trump dhe thanë se ky veprim rrezikonte një luftë të re tregtare transatlantike. //a.i/