E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – Kërkesa e Putinit për Ukrainën: Hiqni dorë nga Donbasi dhe anëtarësimi në NATO, asnjë forcë perëndimore

MOSKË, 21 gusht /ATSH/- Presidenti rus, Vladimir Putin po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga i gjithë rajoni lindor i Donbasit, të heqë dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n, të mbetet neutrale dhe të mbajë trupat perëndimore jashtë vendit, thanë sot për “Reuters” tre burime të Kremlinit.

Putin u takua të premten me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, në Alaskë për samitin e parë Rusi-SHBA.

Takimi me dyer të mbyllura zgjati tre orë dhe të dy udhëheqësit diskutuan mënyrat për të arritur një kompromis për paqen në Ukrainë.

“Shpresojmë që takimi do të hapë rrugën për paqe në Ukrainë”, tha Putin në një konferencë për shtyp pas takimit me Trump.

Asnjëri prej tyre nuk dha detaje specifike rreth asaj që diskutuan.

Sipas burimeve ruse, Putini ka bërë kompromis mbi kërkesat territoriale që paraqiti në qershor 2024, të cilat kërkonin që Kievi të lëshonte të katra provincat që Moska i pretendon si pjesë të Rusisë: Donteskun dhe Luhanskun në Ukrainën lindore – të cilat përbëjnë Donbasin – dhe Khersonin dhe Zaporizhian në jug.

Kievi i ka hedhur poshtë këto kushte si të barasvlershme me dorëzimin e Ukrainës.

“Në propozimin e tij të ri, presidenti rus i është përmbajtur kërkesës së tij që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga pjesët e Donbasit që ende kontrollon”, sipas tre burimeve ruse.

Në këmbim, Moska do të ndalonte luftimet në vijat aktuale të frontit në Zaporizhia dhe Kherson.

Rusia kontrollon rreth 88% të Donbasit dhe 73% të Zaporizhias dhe Khersonit, sipas vlerësimeve të SHBA-së dhe të dhënave nga burime të hapura.

“Moska është gjithashtu e gatshme të dorëzojë pjesët e vogla të rajoneve, Kharkiv, Sumy dhe Dnipropetrovsk të Ukrainës që kontrollon si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme”, thanë burimet.

“Putini po i përmbahet gjithashtu kërkesave të tij të mëparshme që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet e saj për anëtarësim në NATO – dhe një premtim ligjërisht të detyrueshëm nga aleanca ushtarake e udhëhequr nga SHBA-ja – se nuk do të zgjerohet më tej në lindje – si dhe vendosja e kufizimeve në ushtrinë ukrainase dhe një marrëveshje që asnjë trupë perëndimore nuk do të dislokohet në terren në Ukrainë – si pjesë e forcave paqeruajtëse”, thanë burimet.

Megjithatë, të dy palët mbeten larg njëra-tjetrës, më shumë se tre vjet pasi Putini urdhëroi aktivizimin e mijëra trupave ruse në Ukrainë – në një pushtim në shkallë të plotë që pasoi aneksimin e gadishullit të Krimesë në vitin 2014 dhe luftimet e zgjatura në lindje të vendit midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase.

Ministria e jashtme e Ukrainës nuk dha asnjë koment të menjëhershëm mbi propozimet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë vazhdimisht idenë e tërheqjes nga toka ukrainase e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e një marrëveshjeje dhe ka thënë se rajoni industrial i Donbasit shërben si një fortesë që pengon avancimin e forcave ruse në Ukrainë.

Ndërkohë, anëtarësimi në NATO është një objektiv strategjik i sanksionuar në kushtetutën e vendit dhe një objektiv që Kievi e sheh si garancinë e tij më të besueshme të sigurisë.

Zelensky tha se nuk i takon Rusisë të vendosë për anëtarësimin në aleancë.

Shtëpia e Bardhë dhe NATO nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për komente mbi propozimet ruse. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›