E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kishin shkelur kufirin, bllokohet mjeti lundrues me 7 persona në bord në Tushemisht

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, konstatuan përballë fshatit Tushemisht një mjet lundrues tip Jet Ski, që po lundronte në ujërat territoriale të Shqipërisë, me 7 persona në bord. Nga verifikimet e kryera, rezultoi se mjeti kishte kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme. Ai, së bashku me personat në bord, u shoqërua në Stacionin e Policisë për procedura të mëtejshme. Në përfundim të verifikimeve, në zbatim të ligjit “Për mjetet lundruese”, u vendos masë administrative 10 000 lekë ndaj një shtetasi të mitur, ndërsa në bazë të ligjit “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, u vendosën masa administrative 50 000 lekë për secilin nga 6 shtetasit madhorë. Mjeti lundrues u bllokua, ndërsa shtetasit do të largohen vullnetarisht nga PKK Tushemisht. Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë siguron qytetarët se për çdo shkelje apo parregullsi të konstatuar, reagimi i Policisë do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në zbatim të ligjit. /m.m/j,p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›