E Martë, 3 Nëntor 2026

KOMENT – Konflikti Izrael-Iran shkakton shqetësim global

TEHERAN, 16 qershor /ATSH/- Në një përshkallëzim të frikshëm të retorikës bërthamore, gjenerali i lartë iranian, Mohsen Rezaee tha se Pakistani do të hakmerret me një sulm bërthamor ndaj Izraelit – nëse kryeministri Benjamin Netanyahu autorizon një sulm bërthamor ndaj Iranit, sipas “Economic Times”.

“Pakistani ka thënë se nëse Izraeli përdor raketa bërthamore, ne do ta sulmojmë atë edhe me armë bërthamore”, tha Rezaee, oficer i lartë në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit dhe anëtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ndërsa tensionet midis Iranit dhe Izraelit rriten – pas bombardimeve të forcave izraelite ndaj posteve bërthamore dhe ushtarake iraniane – ky pretendim i ri ka ngjallur shqetësim global për një luftë të mundshme në Lindjen e Mesme.

“Pakistani është nënshkrues i të gjitha disiplinave bërthamore ndërkombëtare. Aftësia jonë bërthamore është për mbrojtje, jo për përshkallëzim”, tha ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif – duke mohuardeklaratën e Rezaee.

Pavarësisht kësaj, Pakistani e ka mbështetur hapur Iranin ditët e fundit.

Asif paralajmëroi se agresioni i Izraelit mund të përfshijë të gjithë rajonin, duke e quajtur atë një kërcënim për Jemenin, Palestinën dhe më gjerë.

Arsenali bërthamor në lojë?

Raketa Shaheen-III e Pakistanit, me një rreze veprimi prej 2,700 kilometra, mund të arrijë çdo pjesë të Izraelit dhe analistët besojnë se është plotësisht funksionale.

Ndërsa nuk është konfirmuar asnjë dislokim zyrtar, retorika sugjeron që Pakistani dëshiron të projektojë frenim bërthamor në mbrojtje të solidaritetit mysliman.

Ndërkohë, sulmet e Izraelit ndaj Iranit thuhet se kanë vrarë qindra persona, përfshirë komandantë të lartë të IRGC-së dhe shkencëtarë bërthamorë.

Në përgjigje, Irani sulmoi me një valë raketash, me të paktën pesë civilë izraelitë të konfirmuar të vdekur – mes panikut në rritje dhe sirenave të sulmeve ajrore.

Zyrtarët amerikanë konfirmuan se Donald Trump i kishte kërkuar më herët Izraelit të mos vriste Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë sulmeve.

Trump që atëherë i ka kërkuar të dyja palëve të “bënin një marrëveshje”.

Roli në rritje i Pakistanit 

Megjithëse Pakistani nuk ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë kërcënim bërthamor kundër Izraelit, përafrimi i tij i fundit diplomatik me Iranin është i pagabueshëm.

Kryeministri Shehbaz Sharif bisedoi me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, duke dënuar sulmin e Izraelit si shkelje të sovranitetit dhe duke bërë thirrje për ndërhyrje globale.

Ai rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Pakistanit për Iranin dhe u bëri thirrje vendeve myslimane të ndërpresin lidhjet me Tel Avivin.

Ministri i Mbrojtjes, Asif e përsëriti këtë mendim në parlament, duke i bërë thirrje Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC) të mblidhet urgjentisht dhe të formojë një front të bashkuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›