SHBA – Aeroplanmbajtësja amerikane ”Nimitz” drejt Lindjes së Mesme

UASHINGTON, 16 qershor /ATSH-AFP/ – Aeroplanmbajtësja amerikane ”Nimitz”, e cila po lundronte në Detin e Kinës Jugore, vendosi një kurs perëndimor për në Lindjen e Mesme, mes konfliktit midis Izraelit dhe Iranit, sipas faqes së internetit ”Marine Traffic”, e cila gjurmon pozicionet e anijeve në të gjithë botën në kohë reale.
Aeroplanmbajtësja aktualisht po kalon nëpër Ngushticën e Malakës, midis ishullit indonezian të Sumatrës dhe Malajzisë.
”Një pritje e planifikuar në bordin e ‘Nimitz’ për të premten, më 20 qershor, si pjesë e vizitës katërditore të aeroplanmbajtëses në Danang, në Vietnamin qendror, është anuluar”, tha një zyrtar i qeverisë vietnameze duke cituar një letër nga ambasada amerikane.
Letra përmendi “një nevojë operacionale në zhvillim” të cituar nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së si justifikim për anulimin e ngjarjes.
Izraeli, një aleat i SHBA-së, nisi një fushatë masive ajrore në shkallë të paparë kundër Iranit të premten, duke synuar qindra vende ushtarake dhe bërthamore, me objektivin e deklaruar për ta parandaluar atë të pajiset me armë bërthamore.
Që atëherë, Irani ka qëlluar me raketa si kundërpërgjigje.
Pas dekadash lufte me ndërmjetës dhe operacionesh ”ad hoc”, kjo është hera e parë që dy vendet armike janë angazhuar në një përballje kaq intensive ushtarake.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha dje se ishte “e mundur” që Shtetet e Bashkuara të përfshiheshin në konflikt, por jo “në këtë moment”./ a.jor.