E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOMENT – Kthim në rrënoja: Gaza përballet me shkatërrimin total

GAZA, 20 tetor /ATSH/- Kur armëpushimi në Gaza hyri në fuqi një javë më parë, dhjetëra mijëra palestinezë nisën të lëviznin nga kampet e mbipopulluara në jug për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Gaza City dhe zonat përreth, sipas “The Guardian”.

Për shumicën, ishte një rikthim tronditës dhe i hidhur.

Një muaj pasi ishin urdhëruar të largoheshin nga forcat izraelite, palestinezët mbushën rrugën bregdetare që çon në veri. Rruga u kthye në një lumë njerëzish që ecnin në këmbë, duke mbajtur me vete sendet e pakta të shpëtuara pas zhvendosjeve të shumta.

Ajo që gjetën në kthim ishte shkatërrim i plotë. Pjesë të tëra të veriut ishin rrafshuar. Shtëpitë, lagjet dhe komunitetet e tyre ishin zhdukur.

Përballë tyre qëndronte dilema e hidhur: të qëndronin mes rrënojave apo të ktheheshin sërish në kampet e përkohshme në jug, ku kishin më shumë shpresë për ushqim e ujë,  ndërsa mbi ta qëndronte pasiguria për kohëzgjatjen e armëpushimit.

“Shpresoja ta gjeja shtëpinë në këmbë, por ndodhi e kundërta. Nuk e njihja më vendin. Gjithçka ishte kthyer në pluhur”, tha Suhair al-Absi, 50 vjeçe, nënë e shtatë fëmijëve, sapo mbërriti në lagjen Sheikh Radwan në veri të qytetit. “Rrënojat e shtëpive janë të përziera. Asnjë kolonë betoni nuk ka mbetur. Është një shkatërrim përtej imagjinatës, sikur të kishte rënë një bombë bërthamore.”

Familja e saj qëndroi në shtëpi deri në momentin e fundit, ndërsa ushtria izraelite përparonte në Gaza City në shtator.

Ata panë shtëpitë përreth të shpërthenin njëra pas tjetrës nga “robotë”, mjete të blinduara me telekomandë të mbushura me eksploziv, që ushtria izraelite përdorte për të minimizuar humbjet e veta.

“Në fund, u detyruam të iknim në jug për të mbrojtur fëmijët. Kur u kthyem, nuk gjetëm asgjë. U ula në mes të rrënojave dhe qava bashkë me fëmijët. Të gjitha kujtimet tona u zhdukën”, shtoi al Absi.

Në Sheikh Radwan, disa familje ngritën strehime të improvizuara mes rrënojave ,me pëlhura të varura ndërmjet kolonave të mbetura. Disa jetojnë nën hijen e një shtylle të vetme betoni.

Megjithatë, për disa, të qëndruarit aty ku dikur kishin shtëpinë u jep ndjenjën e vetme të sigurisë që u ka mbetur.

“Do të jetoj këtu, mbi rrënojat ku u rrita”, tha Absi. “Rindërtimi do të më marrë gjithë jetën, ndoshta s’do të kem kohë ta shoh të përfunduar. Por s’kam tjetër vend ku të shkoj”.

Në lagjen Shuja’iya, Susan al-Shayah tregoi të njëjtën tronditje.

“Nuk mund ta gjeja më vendndodhjen e shtëpisë. Gjithçka ishte e rrënuar. Nuk kisha forcë të kërkoja as ndonjë kujtim të vogël nga rrënojat”.

Familja e saj kërkoi katër ditë për një vend ku të ngrinte çadrën, në oborrin e një shkolle të shkatërruar, ku kishte pak ujë të pijshëm.

Në veri, mungesa e ujit është e theksuar. Rezervuari në Sheikh Radwan është ndotur nga tubacionet e dëmtuara të ujërave të zeza, dhe fabrika e desalinizimit është shkatërruar gjatë bombardimeve verore.

Në Jabaliya, Hany Abed-Rabou, 60 vjeç, kontraktor ndërtimi, u kthye për të parë katër shtëpitë e familjes së tij.

“Asnjëra nuk qëndron më në këmbë. Pashë gjithçka të kthyer në hi. Nuk e përballova dot, pësova një goditje në tru nga tronditja”, tha ai.

Abed-Rabou ka humbur një nip dhe një djalë, trupin e të cilit ende nuk e ka gjetur. Tani planifikon të ngrejë një çadër mbi rrënojat, por mungojnë materialet për strehim, gjysma e dërgesave të çadrave të OKB-së janë grabitur gjatë transportit.

“Unë linda këtu, u rrita këtu dhe do të vdes këtu në Jabaliya,” tha ai me vendosmëri.

Në gjithë Gazën veriore, kthimi në shtëpi është kthyer në një përballje me boshllëkun një “rikthim pa shtëpi, pa kujtime dhe pa të ardhme të qartë”.

Për shumë familje, mbetet vetëm një shpresë e brishtë: që armëpushimi i tanishëm të jetë fillimi i paqes dhe jo një pushim i shkurtër përpara luftës tjetër. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›