KOMENT – Pse Irani u kthye në tryezën e bisedimeve me SHBA-në?

UASHINGTON, 18 prill /ATSH/- Ndërsa Irani dhe SHBA-ja përgatiten për raundin e dytë të bisedimeve bërthamore në Romë, shpresat për shmangien e përshkallëzimit po zbehen nga kërcënimet ushtarake në rritje dhe mesazhet kontradiktore, sipas BBC.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump e ka kërcënuar Teheranin me luftë nëse nuk arrihet një marrëveshje për programin e tij bërthamor.
Të mërkurën, “New York Times” raportoi se Trump kishte bllokuar planin izraelit për të goditur objektet bërthamore iraniane në fillim të muajit të ardhshëm.
Pasi të dyja palët e përshkruan raundin e parë të bisedimeve në Oman fundjavën e kaluar si konstruktiv, Trump tha se do të merrte një vendim për Iranin shumë shpejt.
Pse Irani u kthye në tryezën e bisedimeve?
Në vitin 2018, Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja e vitit 2015, e cila i kufizonte Iranit aktivitetet e tij bërthamore dhe lejonte inspektimet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Trump tha se ai nuk kishte bërë mjaftueshëm për të ndaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore – dhe rivendosi sanksionet amerikane si pjesë e një fushate për të ushtruar presion maksimal – për të detyruar Iranin të negociojë një marrëveshje të re.
Irani refuzoi dhe shkeli gjithnjë e më shumë kufizimet në shenjë hakmarrjeje.
Kërcënimi për një përgjigje ushtarake duket se ka luajtur një rol në kthimin e Iranit në tryezën e bisedimeve. Megjithatë, ai këmbëngul se nuk është kjo arsyeja.
Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Irani kishte rënë dakord për bisedime vetëm sepse SHBA-ja i kishte kufizuar kërkesat e tij rreptësisht në çështjet bërthamore – jo nga frika e sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të vendosë një kornizë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në Lindjen e Mesme – që do të thotë se Irani duhet të ndalojë dhe eliminojë programin e tij të pasurimit bërthamor dhe armatimit”, tha në X të martën – i dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, i cili drejton ekipin negociator të SHBA-së.
Deklarata e tij erdhi vetëm një ditë pasi ai kishte sugjeruar në një intervistë me “Fox News” se Irani do të lejohej të vazhdonte pasurimin e uraniumit.
“Ata nuk kanë nevojë të pasurohen me 3,67%,” tha ai, duke iu referuar kufirit të vendosur nga marrëveshja bërthamore e 2015-ës.
“Kjolidhet me verifikimin e programit të pasurimit dhe më pas verifikimin në fund të armëve”, shtoi ai.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, kreu i delegacionit iranian, u përgjigj duke vënë në dukje “deklaratat kontradiktore” të Witkoff dhe duke theksuar se qëndrimet reale do të bëheshin të qarta në tryezën e bisedimeve.
“Ne jemi të gatshëm të ndërtojmë besim në lidhje me shqetësimet e mundshme për pasurimin e Iranit, por parimi i pasurimit nuk është i negociueshëm”, tha ai. //a.i/