“Udha e Kryqit” dhe “E premtja e Madhe” kremtohet nga besimtarët katolikë dhe ortodoksë

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Besimtarët ortodoksë dhe katolikë në të gjithë vendin përkujtuan të Premten e Zezë me ceremoni të veçanta: Procesionin e Epitafit dhe Udhën e Kryqit.
Në të gjithë vendin, besimtarët u bashkuan në lutje dhe reflektim në pritje të festës së Pashkës që këtë vit përkon të dielën e 20 prillit edhe për besimtarët ortodoksë, por edhe ata katolikë.
Besimtarët ortodoksë në Shqipëri kanë shënuar të Premten e Madhe përmes një rituali që kujton Krishtin në kryq.
Shërbesa e së Premtes së Madhe, për besimtarët ortodoksë u kryesua nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Në kryeqytet, shërbesa filloi në orën 18:00 dhe u zhvillua me pjesëmarrjen e klerikëve, korit Bizantin dhe besimtarëve, në një atmosferë përulësie e përqendrimi shpirtëror.
Ndërsa besimtarët katolikë u mblodhën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë ku kremtuan Udhën e Kryqit, një rit që përkujton vuajtjet dhe rrugën e Krishtit drejt kryqëzimit.
Me 14 ndalesa dhe qirinj në duar shoqëruar me lutje, ky rit u udhëhoq nga Imzot Arjan Dodaj i cili iu drejtua me një mesazh të gjithëve.
Ai tha se Udha e Kryqit është udha e të gjithëve pasi çdo njëri është i përfshirë në mundime dhe ka kryqet e tija.
“Të kemi shpresën që na dhuron Zoti se është një shpresèlë që nuk zhgënjen kurrë.Të lutemi për atë realitet të rinisë të varur nga varësia e drogës, e kriminalitetit, e humbjes busullës, motiv i një shoqërie e ndikuar nga materializmi, nga individualizmi, nga idhujtaria narciste e vetvetes e kështu ka humbur aftësinë të shijojë jetën edhe në gjërat që janë sprovë. Të shijojë jetën sepse jeta gjithmonë ia vlen të jetohet edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, edhe kur jemi të sëmurë, edhe kur nuk jemi sipas prospektivë fasadë të kësaj bote që kënaqet me ca like, por nuk di të ngushëllojë realisht, zemrën, mendjen, jetën e njeriut”, tha Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Dioqezës Tiranë-Durrës.
E Premtja e Madhe është momenti kur Kisha qëndron me frymë të ndalur përpara misterit të Kryqit, varrimit dhe zbritjes në Had të Krishtit. Të gjitha pësimet, vajtimet, kryqëzimi dhe varrosja e Krishtit shihen e përjetohen nën dritën e Ngjalljes.
Dhimbja e së Premtes është përgatitje për gëzimin e Pashkës.
Një nga momentet më të rëndësishme të Pashkëve, ceremonia e epitafit u zhvillua sot edhe në qytetet e tjera të vendit.
Në këtë ditë, në të gjitha kishat bëhen ceremoni shumë solemne: nuk festohet asnjë meshë e zakonshme, altarët janë të zhveshur, kambanat nuk bien, dhe atmosfera është e zymtë dhe e heshtur.
Në ritin katolik bëhet Udha e Kryqit për të përjetuar momentet e fundit të Krishtit, ndërsa në ritin ortodoks zhvillohet procesioni i Epitafit, që përfaqëson varrimin simbolik të tij. Në të gjitha traditat e krishtera, e Premtja e Zezë është një nga ditët më të shenjta dhe më të trishta të vitit. /j.p/