KOMENT – SHBA-ja dhe Izraeli zotohen për sulme të mëtejshme, ndërsa Trump shënjestron naftën iraniane

UASHINGTON, 3 prill /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka përsëritur thirrjen e tij për hapjen e Ngushticës së Hormuzit në Iran, e cila aktualisht është bllokuar për shkak të luftës që kanë nisur Izraeli dhe SHBA-ja.
“Me pak më shumë kohë, ne mund ta hapim lehtësisht Ngushticën e Hormuzit, të marrim naftën dhe të fitojmë një pasuri të madhe. A do të ishte një “burim i pafund” për botën???, tha presidenti Donald Trump në “Truth Social”.
Ngushtica e Hormuzit është jetike për transportin global të naftës. Që nga fillimi i sulmeve izraelito-amerikane kundër Iranit më 28 shkurt, transporti detar në këtë ngushticë pothuajse është ndalur, duke rritur ndjeshëm çmimet e energjisë në mbarë botën.
Deklarata e tij vjen ndërsa SHBA-ja ka nisur një operacion shpëtimi, pas njoftimit të Iranit se kishte rrëzuar një avion luftarak F-35.
Avioni u rrëzua mbi hapësirën ajrore iraniane nga një sistem i avancuar i mbrojtjes, sipas një deklarate të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Avioni F-35, i prodhuar nga kompania amerikane “Lockheed Martin”, është një nga avionët më të avancuar luftarakë në botë.
Izraeli njofton sulme në infrastrukturë
Më herët, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi sulme të tjera të përbashkëta me SHBA-në mbi infrastrukturën iraniane.
“Së bashku me miqtë tanë amerikanë, do të vazhdojmë të godasim regjimin terrorist në Iran. Po eliminojmë komandantë, po bombardojmë ura dhe infrastrukturë”, tha Netanyahu në një video të shpërndarë nga zyra e tij.
Deklarata e tij vjen një ditë pas bombardimit të një ure kryesore pranë Teheranit, nga ushtria amerikane.
Netanyahu gjithashtu deklaroi se forca ajrore e Izraelit kishte shkatërruar 70% të kapacitetit të prodhimit të çelikut në Iran, pas ndalimit të punës së një fabrike çeliku pranë Isfahanit për shkak të sulmeve të reja ajrore.
“Ky është një sukses i madh që privon Gardën Revolucionare nga burimet financiare dhe aftësinë për të prodhuar armë”, tha Netanyahu, duke iu referuar Trupave të Gardës Revolucionare Islamike, forca elitare ushtarake e Iranit.
Pas sulmeve ndaj objektivave ushtarake, Izraeli dhe SHBA-ja po godasin gjithashtu infrastrukturën civile dhe zonat industriale të Iranit, veprime që janë kritikuar nga OKB-ja dhe shumë liderë botërorë si të paligjshme.
Të plagosur në vendet arabe nga sulmet iraniane
Më shumë se 12 persona u plagosën në vendet arabe pasi Irani sulmoi Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE), Jordaninë dhe Kuvajt, ndërsa sulmet amerikano-izraelite kanë vazhduar.
Në Abu Dabi, 12 persona u plagosën nga rrëzimi i mbetjeve në zonën Ajban. Të plagosurit ishin shtetas nepalezë dhe indianë.
Ndërkohë, një fabrikë gazi në emirate ndërpreu punën pasi mbetjet ranë mbi vendin e fabrikës së gazit “Habshan” pas një operacioni të mbrojtjes ajrore.
Në total, Emiratet e Bashkuara Arabe interceptuan 18 raketa balistike, katër raketa kruz dhe 47 dronë, sipas forcave të armatosura.
“Jordania gjithashtu raportoi të plagosur pasi ushtria rrëzoi dy raketa që synonin vende brenda vendit”, raportoi agjencia shtetërore “PETRA”.
Thirrja e Iranit për paqe
Ish-ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif bëri thirrje për një marrëveshje të gjerë paqeje me SHBA-në.
Në një artikull për revistën “Foreign Affairs”, Zarif argumentoi të premten se konflikti themelor duhet të zgjidhet për të siguruar një marrëveshje paqeje gjithëpërfshirëse, në vend të një armëpushimi të mundshëm të brishtë.
Të dy shtetet, duhet ta përdorin këtë katastrofë si një mundësi për të vendosur fundin e 47 viteve armiqësi.
Së bashku me Izraelin, SHBA-ja sulmoi Iranin më 28 shkurt. Që atëherë, dhjetëra figura kryesore ushtarake dhe politike iraniane janë vrarë, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei.
Irani ka reaguar me sulme raketore ndaj Izraelit dhe vendeve arabe në Gjirin Persik.
Në Ngushticën e Hormuzit, ushtria iraniane ka ndaluar pothuajse plotësisht transportin detar me sulme dhe kërcënime, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës. Një përfundim i shpejtë i luftës mbetet jashtë horizontit.
“Lufta ka treguar se programet raketore dhe bërthamore të Iranit nuk mund të ndalen me mjete ushtarake”, tha Zarif. //a.i/