KOMENT – Shtetet e Gjirit raportojnë sulme të reja, ndërsa Irani u kërkon falje vendeve fqinje

KAJRO, 7 mars /ATSH-DPA/- Disa shtete të Gjirit Persik raportuan sot se kishin interceptuar sulme nga Irani, ndërsa Teherani u kërkoi falje vendeve fqinj për goditjet e kryera në kuadër të konfliktit të tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian kërkoi falje për sulmet dhe deklaroi se Irani do të ndalonte çdo goditje ndaj vendeve fqinje, nëse nuk do të kishte sulme që vinin nga territori i tyre kundër Iranit.
Pas kësaj deklarate, Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se forcat e armatosura kishin interceptuar një raketë të drejtuar ndaj emiratit të pasur me naftë. Nuk u raportuan viktima apo dëme materiale.
Baza “Al Udeid” e Katarit, instalacioni më i madh ushtarak i SHBA-së ndodhet në Lindjen e Mesme.
Shtetet e tjera të Gjirit gjithashtu mirëpresin personel dhe objekte ushtarake amerikane.
Sot në Bahrein u ndezën sirenat për të paralajmëruar sulme ajrore, ndërsa vendi është shtëpia e Flotës së Pestë të Marinës së SHBA-së.
Megjithatë, nuk u raportuan sulme konkrete. Ushtria e Bahreinit tha se kishte interceptuar dhe shkatërruar 86 raketa dhe 148 dronë që nga fillimi i sulmeve.
Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se kanë reaguar ndaj dronëve dhe raketave që vinin nga Irani.
Ministria e Mbrojtjes tha se mbrojtja ajrore ka interceptuar 15 nga 16 raketat balistike dhe 119 nga 121 dronë.
Pamjet e shpërndara online tregonin një sulm me dron mbi aeroportin e Dubait, një nga qendrat kryesore globale të aviacionit.
Më herët gjatë ditës, Arabia Saudite raportoi interceptimin e një serie dronësh që synonin fushën e madhe të naftës “Shaybah”, si dhe dy raketa balistike të drejtuara ndaj Bazës Ajrore “Prince Sultan” pranë kryeqytetit të Riadit.
Dy dronë të tjerë u shkatërruan në lindje të Riadit, sipas Ministrisë Saudite të Mbrojtjes.
Khalid bin Salman, ministri i Mbrojtjes i Arabisë së pasur me naftë, tha se kishte diskutuar me shefin e stafit të ushtrisë së Pakistanit, masat që duhet të merren për të ndaluar sulmet iraniane ndaj Arabisë Saudite, në kuadër të një pakti mbrojtjeje midis të dy vendeve të nënshkruar në shtator të vitit të kaluar.
“Ne theksuam se veprime të tilla minojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe shprehëm shpresën që pala iraniane të veprojë me urtësi dhe të shmangë keqkuptimet”, tha Princi Khalid në një postim në platformën sociale X.
Irani ka kryer disa sulme hakmarrëse ndaj vendeve arabe të Gjirit që nga fillimi i operacionit ajror të SHBA-së dhe Izraelit mbi Iranin një javë më parë. //a.i/