E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mediu: GJKKO lejon zhvillimin e një procesi të gjykuar për “Gërdecin”

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu deklaroi sot se procesi gjyqësor ndaj tij për çështjen e shpërthimit të Gërdecit është i pavlefshëm, ndërsa akuzoi drejtësinë se prej 18 vitesh është përballur me hetime dhe procese të vazhdueshme pa prova që e lidhin me ngjarjen.

Në një konferencë për mediet në Tiranë, Mediu u shpreh se hetimet e kryera nga Prokuroria dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk kanë gjetur asnjë provë që e implikon në korrupsion apo në shpërthimin tragjik.

Sipas tij, hetimet kanë përfshirë edhe familjarët e tij dhe aspekte private e shëndetësore.

“Prokuroria dhe SPAK më kanë hetuar mua dhe familjarët e mi në çdo aspekt 360 gradë. Është provuar përfundimisht se nuk kam qenë i përfshirë në asnjë akt korrupsioni”, u shpreh Mediu.

Mediu bëri të ditur se gjatë 18 viteve të fundit janë zhvilluar mbi 10 procese gjyqësore lidhur me këtë çështje, pa një vendim që të dëshmojë se ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

“Në çdo veprim që kam kryer kam vlerësuar propozimet e shtabit dhe strukturave më të larta ushtarake, ashtu siç ma kërkonte ligji”, tha ai.

Kreu i Partisë Republikane shtoi se SPAK e ka dërguar çështjen e tij formalisht në gjykatë dhe e cilësoi periudhën 18-vjeçare si një proces “persekutimi nga drejtësia”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›