E Diel, 1 Nëntor 2026

KPA konfirmon në detyrë Jurida Bajraktarin në Gjykatën Administrative të Apelit

TIRANË, 9 shkurt /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili në vitin 2023 konfirmoi në detyrë Jurida Bajraktarin, pas një pezullimi 1-vjeçar dhe trajnimit që ajo zhvilloi në Shkollën e Magjistraturës.

Bajraktari punon si ndihmëse ligjore pranë Gjykatës Administrative të Apelit, ndërkohë që Komisioneri Publik kishte ankimuar vendimin e KPK-së për qëndrimin e saj në detyrë.

Në një njoftim për mediet, KPA bën të ditur se “trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 51/2023, datë 06.11.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Jurida Bajraktari.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Jurida Bajraktari. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 09.02.2026, në Tiranë”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›