FOKUS – Dialog konstruktiv SHBA-Groenlandë-Danimarkë, por paqartësitë për të ardhmen mbeten

KOPENHAGË, 9 shkurt /ATSH/ – Ministrat e Jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës thonë se shpresojnë të zbusin kërcënimin ekzistencial që, sipas tyre, vjen nga këmbëngulja e presidentit amerikan Donald Trump për ta marrë nën kontroll territorin autonom arktik sipas Deutsche Welle.
Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, i përshkroi bisedimet diplomatike me SHBA-në si pozitive, por theksoi se fati i territorit nën sovranitetin danez mbetet i pasigurt, ndërsa presidenti Trump vazhdon të përsërisë dëshirën për ta pasur Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare.
“Ende nuk jemi aty ku duam të jemi”, tha Motzfeldt në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, dhe ministren e Jashtme të Kanadasë, Anita Anand, e cila të hapi të premten një konsullatë të re kanadeze në kryeqytetin e Greenlandës, Nuuk.
”Do të ketë një proces të gjatë dhe është shumë herët të thuhet se ku do të përfundojmë”, shtoi Motzfeldt.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Rasmussen.
”Nuk jemi jashtë krizës dhe ende nuk kemi një zgjidhje, por jemi në një pozicion shumë më të mirë krahasuar me disa javë më parë”, tha ai.
Sipas tij, danezët dhe groenlandezët mbeten të qetë pavarësisht deklaratave amerikane.
Ai iu referua disa episodeve të kaluara pa dhënë detaje, duke theksuar se ”nuk ka kërcënime në tryezë dhe nuk ka luftë tregtare me Evropën”, ndërsa palët janë pajtuar për një qasje normale diplomatike.
Interesi i presidentit Trump për Groenlandën nisi që në mandatin e tij të parë, kur hodhi idenë e blerjes së ishullit nga Danimarka.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ai e ka përsëritur publikisht synimin për ta marrë territorin nga aleatja e NATO-s, Danimarka.
Edhe pse SHBA-ja ka të drejtën të krijojë dhe operojë baza ushtarake në Groenlandë falë një traktati të vitit 1951, Trump ka këmbëngulur se vetëm pronësia e plotë do t’i mundësonte Uashingtonit ta mbrojë realisht territorin, duke e quajtur këtë një hap psikologjikisht të rëndësishëm./ /Ad.Ab./ a.jor.