E Martë, 3 Nëntor 2026

KPA konfirmon shkarkimin e gjyqtares Merlika

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot unanimisht lënien në fuqi të shkarkimit të gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Rexhina Merlika.

KPA njoftoi sot se, “trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 21/2023, datë 23.05.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Rexhina Merlika kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 635, datë 13.03.2023. Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 635, datë 13.03.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Rexhina Merlika”.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 10.04.2025.

Ish-gjyqtarja Merlika ishte shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), shkalla e parë e Vetting-ut, më 13 mars 2023. Shkak për vendimin ishin problemet me pasurinë. Në dy kriteret e tjera, atë të figurës dhe vlerësimit të pasurisë, nuk ishin konstatuar problematika për gjyqtaren e Tiranës.

Rexhina Merlika e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1989 si prokurore dhe është emëruar kryetare e Gjykatës së Krujës në vitin 1993. Prej vitit 2013 dhe deri në momentin e shkarkimit, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›