E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Me Macron në “Elysee”, vëmendja e Francës ndaj Ballkanit dhe Shqipërisë është shtuar


TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se që nga ardhja e presidentit Emmanuel Macron në “Elysee”, vëmendja e Francës ndaj Ballkanit dhe kah Shqipërisë është shtuar.

Në ceremoninë e hapjes së “Art Explora Festival”, në Durrës, ku do të ofrohen një sërë aktivitetesh artistike e kulturore, si festivale, ekspozita, koncerte dhe shfaqje të ndryshme, duke synuar të sjellë artin më afër publikut shqiptar, Rama tha se prania e flamurit francez në vendin tonë po bëhet gjithnjë e më shumë normale, ndërsa njoftoi rikthimin e presidentit Macron në Tiranë pas pak javësh.

“Kur flasim për flamurin francez është një pamje që sot bëhet gjithnjë e më normale. Por nuk ishte kështu para pak kohësh, kur Francën e ndjenim larg dhe kur Franca e shikonte Ballkanin me një lloj distance. Duhet të them se që prej mbërritjes së presidentit aktual në “Elysee” ka një lloj kurioziteti të themi drejt këtij rajoni dhe kah Shqipërisë“, u shpreh Rama.

Falë kësaj hapjeje, vijoi ai, patëm në Shqipëri vizitën e parë të një presidenti francez, që prej krijimit të Perandorisë franceze.

“Sepse të thuash që prej krijimit të shtetit shqiptar është periudhë e shkurtër, një shekull e pak. Hera e parë që një president francez na nderoi me praninë e tij dhe do të na nderojë pas disa javësh përsëri. Dhe “Art Explora” do të jetë këtu”, u shpreh Rama.

Rama shprehu bindjen se katamarani-muze “Art Explora” do të ketë vizitorë të shumtë.

“Moment i rëndësishëm për qytetin, mundësi e mrekullueshme për të gjithë nxënësit dhe qytetarët, për të vizituar këtë fshat të vogël ëndrrash. Do të ketë më shumë vizitorë sesa mund të presë kjo infrastrukturë”, deklaroi ai.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›