E Martë, 3 Nëntor 2026

KPA lë në fuqi vendimin e KPK, shkarkohet nga detyra prokurori Hyrjet Lamaj

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për të shkarkuar nga detyra prokurorin e Vlorës Hyrjet Lamaj.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, la në fuqi vendimin e marrë më 26 maj të vitit 2023, pas ankimimit të bërë nga Hyrjet Lamaj më 26 korrik 2023. Vendimi sipas KPA është marrë më datë 9 qershor me shumicë votash.

KPA njoftoi se “më datë 15.06.2025, subjekti i rivlerësimit i drejtoi Kolegjit në rrugë elektronike një kërkesë, nëpërmjet së cilës kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes me qëllim paraqitjen e disa provave të reja bashkëlidhur kërkesës, me rëndësi të drejtpërdrejtë për rivlerësimin e ligjshmërisë së burimit të të ardhurave të personit të lidhur me të. Kjo kërkesë e subjektit të rivlerësimit është depozituar në Kolegj edhe në rrugë postare.

“Në seancën e mëparshme, të datës 11.06.2025, bëmë me dije që vendimi për çështjen është marrë më datë 09.06.2025, rrjedhimisht kjo kërkesë nuk do t’i nënshtrohet shqyrtimit në këtë proces gjyqësor, por subjekti i rivlerësimit do të marrë administrativisht përgjigje lidhur me të”.

Prokurori i Vlorës Hyrjet Lamaj u shkarkua nga detyra në maj të 2023 pasi iu gjetën problem me deklarimin e pasurisë.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›