KQZ: Verifikimi i kandidatëve për zgjedhjet lokale do të zgjasë më shumë se zakonisht

PRISHTINË, 14 gusht/ATSH/ Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Besnik Buzhala, ka deklaruar se verifikimi i kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të marr më shumë kohë se zakonisht për shkak të pushimeve vjetore në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Ai ka shtuar se pas dorëzimit të listave përfundimtare të kandidatëve, Zyra e Sekretariatit është duke i përgatitur ato për procedurat e verifikimit.
Pasi është pyetur nga një anëtar i KQZ-së se sa do të merr kohë, Buzhala është përgjigjur se do të vonohen, raporton KosovaPress.
Kujtojmë, KQZ sot mori vendime të veçanta për certifikimin grupit të dytë me 9 subjekte politike, prej të cilave 4 iniciativa qytetare dhe 5 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike është 66, prej të cilëve katër kandidatë për kryetar të komunave dhe 62 për anëtarë të kuvendeve komunale.
Në mbledhjen e kaluar 12 gusht 2025, KQZ certifikoi grupin e parë prej 10 subjekteve politike dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur me gjithsej 64 kandidatë, 5 kandidatë për kryetar komune dhe 59 kandidatë për anëtarë të kuvendeve komunale.
Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara nga KQZ deri më 14 gusht 2025 është 19 subjekte politike, prej të cilave 6 iniciativa qytetare dhe 13 kandidatë të pavarur, me gjithsej 130 kandidatë, 9 kandidatë për kryetar komune dhe 121 për anëtarë të kuvendeve komunale.
/kosovapress/