Mallrat amerikane pa tarifë në Kosovë, Dogana tregon kushtet që duhet të plotësohen

PRISHTINË, 14 gusht/ATSH/Kosova ka hequr tarifat doganore për produktet e importuara nga SHBA.
Dogana e Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për procedurat që duhet ndjekur për mallrat amerikane, transmeton KosovaPress.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbështetje të kompetencave të saja kushtetuese dhe ligjore, përmes vendimit Nr. 13/265 të datës 01.08.2025 ka vendosur heqjen e tarifës doganore për mallrat me origjinë preferenciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).Ky vendim ndonëse përfaqëson një masë të njëanshme nga ana e Republikës së Kosovës, i cili qëllim primar ka lehtësimin e tregtisë me përfitime konkrete si për bizneset ashtu dhe për konsumatorët e vendit, është i një rëndësie të veçantë edhe sa i përket forcimit dhe avancimit të marrëdhënieve në sferën tregtare dhe ekonomike në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Vendimi për aplikimin e tatimit doganor me normë zero për mallrat e importuara me origjinë nga SHBA është i bazuar në Ligjin Nr. 04/L-163 dhe në Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, andaj mbi këtë bazë, mallrat të cilat importohen nga SHBA e të cilat plotësojnë kriteret e origjinës preferenciale, që nga data e hyrjes në fuqi të vendimit dhe publikimit të tij në gazetën zyrtare 01.08.2025, mund të importohen në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa pagesë të tarifës doganore”, thuhet në postimin e Doganës së Kosovës.
Në mënyrë që këto mallra të përfitojnë nga ky trajtim favorizues, të njëjtat me rastin e importit duhet të shoqërohen me:
-Certifikatë të vlefshme të origjinës preferenciale të lëshuar nga autoritetet amerikane
– Deklarata për origjinën në faturë, në përputhje me ligjin në fuqi të të dyja vendeve.
/kosovapress/