E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ akrediton edhe 169 vëzhgues për zgjedhjet e 28 dhjetorit

PRISHTINË, 23 dhjetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar grupin e pestë me 169 vëzhgues për zgjedhjet e së dielës, më 28 dhjetor.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve deri më tani nga KQZ është mbi 19 mijë dhe në mesin e tyre janë subjekte politike të certifikuara, organizata joqeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare dhe institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka kërkuar që të mos akreditohet një organizatë vendore me arsyetimin se nuk ka përmbushur kriteret ligjore.

“Organizata joqeveritare ‘Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit’ ka aplikuar për tu akredituar si organizatë vëzhguese në zgjedhjet që mbahen më 28 dhjetor 2025. Zyra ka vlerësuar gjithë dokumentacionin dhe konstaton se statuti i kësaj organizate që ndërlidhet me qëllimin dhe fushëveprimin nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me monitorimin e proceseve zgjedhje apo me mbrojtjen e të drejtave të njeriut ashtu siç kërkohet në nenin 54 për zgjedhjet e përgjithshme. Dhe për rrjedhojë nuk janë përmbushur kriteret ligjore për akreditim si organizatë vëzhguese zgjedhore. Lidhur me këtë Zyra i rekomandon KQZ-së që të refuzojë kërkesën për akreditim të organizatës joqeveritare “Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit’”, u shpreh ai.

Kjo kërkesë është konsideruar jo normale nga anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.

“Më duket jo normale që të ngritet dorë për mos akreditim, nëse fjala është nxjerret propozimi i sekretariatit që të mos akreditohet, e ne e miratojmë atë të zyrës, sekretariatit po. Do të thotë e miratojmë propozimin për mos akreditim”, u shpreh ai.

Ndërkaq, anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi theksoi se është e domosdoshme që të rishikohet rregullorja.

Në të njëjtën mbledhje nuk është akredituar për vëzhgim edhe një organizatë ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju-OKO”.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›