Rama: Rritet numri i studentëve shqiptarë në universitetet më prestigjioze të botës

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se është rritur numri i studentëve shqiptarë që arrijnë të hyjnë në universitetet më prestigjioze të botës.
Ndërsa ndau Medaljet e Arta për nxënësit ekselentë, Rama theksoi se “sot kemi numrin më të madh të medaljeve të arta në gjithë këtë periudhë, që kur se kemi krijuar këtë event tradicional”.
“Ajo që na kënaq më shumë është që ky numër i rritur medaljesh të arta përkon edhe me numrin e rritur të studentëve shqiptarë që arrijnë të hyjnë në universitetet më prestigjioze të botës, por nga ana tjetër përkon edhe me çfarë kemi marrë së fundmi nga testimet që janë bërë”, tha Rama, ndërsa shtoi se kjo përkon edhe me rritjen e cilësisë së përgjithshme të arsimit.
Kryeministri vlerësoi rolin e prindërve dhe familjes në këtë udhëtim dhe veçanërisht rolin e mësuesve që ka qenë vendimtar.
Ndërsa nxiti të rinjtë që të vazhdojnë me ambicie rrugën drejt të ardhmes, Rama u shpreh se për të realizuar ëndrrat ata duhet të paguajnë çmimin e sakrificës, shpenzimit të energjisë, luftës me veten edhe me të tjerët, kur të tjerët bëhen pengesë.
/a.f/