“Ka 56 konflikte të vazhdueshme në botë”, Meloni në OKB: Paqja, dialogu dhe diplomacia nuk fitojnë më

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, në fjalimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, paralajmëroi për rreziqet e thella të një bote gjithnjë e më të paqëndrueshme, duke thënë se “jetojmë në një periudhë historike të përshpejtuar dhe komplekse, plot mundësi, por edhe të mbushur me rreziqe, midis luftës dhe paqes.”
Meloni theksoi se në botë aktualisht ka 56 konflikte të vazhdueshme – shifra më e lartë që nga Lufta e Dytë Botërore – duke e krahasuar këtë realitet me idealet mbi të cilat u themelua OKB-ja.
“A ia kemi dalë mbanë? Përgjigja është në lajme dhe është e pamëshirshme,” tha ajo. “Paqja, dialogu dhe diplomacia nuk janë më në gjendje të bindin dhe të fitojnë.”
Duke cituar Papa Françeskun dhe konceptin e “luftës së tretë botërore të zhvilluar pjesë-pjesë”, Meloni përmendi veçanërisht konfliktet në Ukrainë dhe në Gaza.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Meloni akuzoi Rusinë për shkelje të qartë të Kartës së OKB-së, duke thënë se Moska ka “shkaktuar një plagë të thellë në të drejtën ndërkombëtare” dhe nuk ka treguar asnjë gatishmëri për paqe.