E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Kalbjen në burg mund ta bëjë vetëm drejtësia”- Alibeaj kërkon hetim për ministrin Toni Gogu: A mori leje nga SPAK për takimin me Veliajn?

Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj kërkon reagimin e Prokurorisë së Posaçme lidhur me takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, në paraburgim. Sipas tij, çdo takim fizik me një person nën masën e paraburgimit duhet të bëhet me miratimin paraprak të SPAK-ut, ndërsa në rast shkeljeje duhet të nisë procedim penal ndaj ministrit.

veliaj gogu

I ftuar në News24, Alibeaj komentoi përplasjen mes kryeministrit Edi Rama dhe Erion Veliajt, duke theksuar se vizitat për inspektim në institucionet e vuajtjes së dënimit janë një kompetencë e ministrit të Drejtësisë, por takimi me një të paraburgosur është çështje tjetër dhe duhet të respektojë procedurat ligjore.

Ai sqaroi se, sipas legjislacionit në fuqi, takimi fizik me një person në paraburgim mund të zhvillohet vetëm me miratimin paraprak të prokurorisë, në këtë rast të SPAK-ut.

“Një ministër Drejtësie mund të shkojë në burg në mes të natës për të inspektuar institucionin, nëse ka një shqetësim, por jo të takojë një të dënuar, aq më shumë një të paraburgosur. Sipas ligjeve të këtij shteti, ka një ligj për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve. Specifikisht për këta të fundit, takimi fizik me ta mund të realizohet vetëm në rast se prokuroria ka dhënë pëlqimin paraprakisht, dhe këtu bëhet fjalë për SPAK-un”, u shpreh Alibeaj.

Ish-deputeti shprehu gjithashtu habi për mungesën e një reagimi nga Prokuroria e Posaçme, veçanërisht pas letrës së bërë publike nga Veliaj, në të cilën ky i fundit pretendonte se kryeministri Rama do të ndërhynte për ta mbajtur në burg për 100 vite.

“Në gjithë këto ditë nuk e kam dëgjuar. Kam dëgjuar histori që transferimi i Veliajt ishte i beftë, u bë me arsye sekreti shtetëror, etj., etj. Jam i habitur me mosreagimin e SPAK-ut për këtë rast pas letrës së Veliajt, ku thuhej se do të udhëzohej SPAK-u nga ana e Ramës për ta lënë atë në burg për 100 vite”, deklaroi ai.

Sipas Alibeajt, pavarësisht nëse pretendimet e kryebashkiakut janë të vërteta apo jo, publikimi i tyre ka ndikuar në besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë. Ai nënvizoi se vetëm organet e drejtësisë kanë kompetencën të vendosin për fajësinë dhe kohëzgjatjen e dënimit të një personi.

“SPAK është një institucion me mision të vështirë për të çuar përpara. Sipas versionit të Veliajt, atij i është transmetuar nga ministri i Drejtësisë një ultimatum nga kryeministri, që i kërkon të dorëzojë pushtetin e bashkisë ose kalbet në burg 100 vite. Kalbjen në burg mund ta bëjë vetëm sistemi i drejtësisë. Sa e vërtetë është kjo, askush nuk mund ta verifikojë nga ne, por një efekt te rrënimi i besimit të opinionit publik e ka”, u shpreh Alibeaj.

Në përfundim, Alibeaj i kërkoi SPAK-ut të verifikojë nëse ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka marrë autorizimin e nevojshëm për takimin me Veliajn. Nëse një leje e tillë nuk është kërkuar dhe marrë paraprakisht, sipas tij, Prokuroria e Posaçme duhet të ndërmarrë hapa ligjorë.

“SPAK duhet të reagojë nëse ministri Toni Gogu ka kërkuar leje për të takuar Veliajn dhe, nëse nuk e ka bërë, duhet domosdoshmërisht të fillojë një procedim penal”, deklaroi Alibeaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›