E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kalimi kufitar në Gaza dhe Rafah i mbyllur deri te dielën, Hamasi mbetet i angazhuar për respektimin e marrëveshjes

Në Gaza tensionet mbeten dhe armëpushimi prej mëse një jave po vijon ndërsa Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë të këmbejnë deklarata por edhe akuza ndaj njëri-tjetrit. Çështja e trupave të 19 pengjeve mbetet një çështje kryesore për izraelitët teksa Hamasi ka vënë theksin në angazhimin për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit me Izraelin dhe qëllimin për të kthyer trupat e pengjeve që kanë mbetur në Gaza.

Sipas medieve izraeliane, që citojnë deklaratën e grupit palestinez, procesi i kthimit të trupave mund të zgjasë, pasi disa prej tyre janë varrosur në tunele tashme të shkatërruar por edhe nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara. Por kjo deklaratë e Hamasit nuk është pritur mirë nga pala tjetër dhe Izraeli paralajmëroi se nëse Hamasi nuk kthen trupat do të rifillojë operacionet ushtarake në Gaza.  Por situata në Gaza është gjithashtu e tensionuar edhe në lidhje edhe me ndihmat humanitare, ku siç shkruajnë mediat ndërkombëtare, kalimi kufitar në Rafah pritet të hapet ditën e dielë por vetëm për kalimin e njerëzve, e jo për kamionët.

Ndërkaq, kryeministri izraelit, Beniamin Netanyahu zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në lidhje me kthimin e trupave. Mediat në shtetin hebre, shkruajnë se biseda telefonike, Netanyahu-Trump ishte ‘’pozitive dhe e ngroht뒒, teksa kryeministri izraelit e ka informuar shefin e Shtëpisë së Bardhë, mbi masat që synon të marrë në përgjigje të dorëzimit të vetëm 9 trupave nga Hamasi.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›