“Kam më shumë dinjitet se kryeministri!”- Rama e kërcënoi me burg, Veliaj e sfidon: Ose nxirr një provë të vetme për përfshirjen time në protesta, ose ik!
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas deklaratave të bëra publike nga avokati i tij, Plarent Ndreca, se kryeministri Edi Rama i ka përcjellë një ultimatum përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duke e kërcënuar “se do ta kalb në burg” nëse nuk heq dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe nuk ja delegon firmën e tij te një i përzgjedhur nga kreu i qeverisë, që sipas Veliajt është Arbër Hajdari.

Në një reagim, Veliaj thekson se ka më shumë dinjitet se kryeministri, ndërsa mohon kategorikisht përfshirjen e tij në organizimin apo financimin e protestave. Ai sfidon Ramën të publikojë një provë të vetme që e lidh me protestat, në të kundërt, duhet të largohet.
“Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai. Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”, shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku thekson se nuk do të lejojë askënd të cenojë dinjitetin e tij, ndërsa ‘siguron’ socialistët se nuk do të sulmojë Partinë Socialiste, që e cilëson shtëpinë e tij.
“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim”, shkruan ai, ndërsa i cilëson si “haluçinacione bolshevike” pretendimet se ka organizuar apo financuar protestat.
Ndër të tjera, Veliaj përshkruan takimin me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, të zhvilluar të premten në orën 22:30, pas 20 muajsh pa një takim të tillë.
Sipas tij, Gogu i ka përcjellë një mesazh të kryeministrit Rama, i cili përfshinte tri kërkesa, të pranonte përfshirjen në protestat e studentëve dhe Flamingove, të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe të mos këshillohej më me avokatin Plarent Ndreca. Veliaj pretendon se, në rast refuzimi, i është kërcënuar me akuza të tjera dhe me një dënim të gjatë me burg.

Erion Veliaj: Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim.
Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai.
Refuzoj haluçinacionet bolshevike që unë kam organizuar ose financuar protestat dhe e gjithë e vërteta e takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, është kjo letër e shkruar me dorën time.
Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave.
Ndryshe ik!
Letra e plotë:
E premte, ora 22:30
Toni Gogu vjen në takim pas 20 muajsh.
TG: R ka bërë transferimin, urdhër që ky nga konvikt duhet të bëjë burg tamam dhe që personalisht është marrë dhe me lejen për spital, lejet për takime, deri te aksesi tek miqtë e familja.
R ka bypass TG dhe ka urdhëruar vetë transferimin e izolimin me këto 3 kërkesa:
– Prano përfshirjen me Flamingot – Studentët ose do të shtohen akuzat për “prishje të rendit kushtetues” nga burgu e do bësh 100 vjet burg në 313 e 302.
– Hiq dorë nga bashkia TR dhe delegoje (te Arbër Hajdari).
– Mos u këshillo më me Plarent Ndrecën.


AKUZAT PAS TAKIMIT VELIAJ – GOGU
Reagimi i Veliajt vjen pasi avokati Plarent Ndreca më herët gjatë ditës së sotme ka zbardhur një bisedë mes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një vizite të zhvilluar më 30 tetor.
Sipas Ndrecës, ministri Gogu kishte shkuar personalisht në burg për t’i përcjellë Veliajt një mesazh të kryeministrit Edi Rama, në një vizitë që, sipas tij, nuk ishte regjistruar në fletoren e burgut.
Në bisedën e bërë publike nga avokati, Gogu i përcjell Veliajt kërkesat e kryeministrit për dorëzimin e mandatit, delegimin e pushtetit te emrat e përzgjedhur prej tij dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me avokatin Plarent Ndreca.
Sipas publikimit, Rama e kishte paralajmëruar Veliajn se, në rast të mosbindjes, do ta transferonte në burgun 302 dhe do të orientonte SPAK-un të niste hetime për “minim të rendit kushtetues”.
“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:
‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem veç si kryeministër.
-Dorëzo mandatin urgjentisht.
-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.
-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.
Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nis hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg.”
Ndërkohë nga ana e tij. Veliaj është përgjigjur menjëherë dhe i ka thënë ministrit të Drejtësisë se “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”.
REAGIMI I TONI GOGUT
Lidhur me deklaratën e Veliajt dhe Ndrecës reagoi edhe vetë ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i cili konfirmoi se e ka takuar Veliajn të premten, por mohon kategorikisht pretendimet se i ka përcjellë një ultimatum në emër të kryeministrit Edi Rama, për dorëzimin e mandatit dhe delegimin e drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Ministri shpjegon se vizita është zhvilluar në kuadër të përgjegjësive të tij institucionale, me qëllim njohjen nga afër me kushtet e trajtimit të Veliajt pas transferimit në burgun e Fierit, si dhe për të dëgjuar ankesat e bëra publike nga avokati i tij, Plarent Ndreca.
Gogu i referohet edhe marrëdhënies së tij personale me Veliajn, duke theksuar se mes tyre ekziston një miqësi e hershme.
Reagimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu:
Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier. Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë. Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta.
Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.