“Do kalbesh në burg”- Avokati i Veliajt zbardhi mesazhet që Toni Gogu i tha kryebashkiakut në qeli në emër të Ramës, reagon ministri i Drejtësisë: E takova për t’u njohur me kushtet e trajtimit!
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka reaguar në rrjetet sociale pas lajmit në media se ai dy ditë më parë ka takuar në burgun e Fierit Erion Veliajn, dhe i ka dhënë ultimatum kreybashkiakut të Tiranës me porosi nga kryeministri, Edi Rama.

Ministri Gogu nuk e mohon lajmin e ndarë për mediat nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca se ai e ka takuar kryebashkiakun në burg dy ditë më parë.
Megjithatë, Gogu mohon pretendimin se ai ka dhënë ultimatum Veliajt në emër të kryeministrit Edi Rama, por u takua me të për t’u njohur me kushtet e transferimit të tij nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit. “Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë. Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar”, shkruan Gogu.
Reagimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu:
Më vjen thellësisht keq për të pavërtetat që janë publikuar sot lidhur me vizitën time në IEVP Fier.
Po, e kam takuar Erion Veliajn të premten. Në ushtrim të përgjegjësive të mia si Ministër i Drejtësisë, kam shkuar për t’u njohur me kushtet e trajtimit të tij dhe për të dëgjuar ankesat e shprehura publikisht nga avokati i tij.
Me Erionin më lidh një miqësi shumë e hershme, të cilën e dinë të gjithë.
Por dua të jem krejt i qartë: Nuk i gjej dot arsyet pse janë stisur ato të pavërteta dhe nuk dua ta besoj që i ka thënë apo shkruar Erioni.
Kush më njeh e di se nuk ka asnjë shans, në këtë botë apo në tjetrën, që unë të shqiptoj “mesazhet” që më janë vënë në gojë. Jam vërtet i befasuar.
Kam shkuar për të dëgjuar shqetësimet e një njeriu pas një tymnaje mediatike dhe shqetësimeve të kuptueshme të kujtdo që shqetësohet kur flitet për liri e të drejta. Rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme.
Për të tjerat, koha dhe e vërteta ecin dorë për dore.
Më herët gjatë ditës së sotme, avokati Plarent Ndreca konfirmoi për News24 se Gogu shkoi në burgun e Fierit për t’i dhënë këto mesazhe Veliajt:
“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:
‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem veç si kryeministër.
-Dorëzo mandatin urgjentisht.
-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.
-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.
Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nis hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg.”