E Diel, 1 Nëntor 2026

Kameramanët nuk filmojnë zyrtarët e PD në gjykatë, solidarizohen me operatorin që mori flakë nga molotovët

TIRANË, 13 shkurt /ATSh/ Operatorët e medieve televizive në vend ulën sot kamerat dhe nuk xhiruan përfaqësuesit e Partisë Demokratike, të cilët u paraqitën në gjykatë, ku po shqyrtohen masat e sigurisë për protestuesit e ndaluar.

Reagimi i tyre erdhi si akt solidariteti, pasi gjatë protestës së opozitës të martën, operatori i News 24, Aldo Kashri, i cili ndodhej në krye të detyrës duke filmuar i hipur mbi një automjet për të përcjellë pamje drejtpërdrejt nga zhvillimet e protestës para Kuvendit, u përfshi nga flakët gjatë hedhjes së molotovëve nga protestuesit e opozitës.

Xhupi i tij mori flakë, por kolegët ndërhynë menjëherë duke ia hequr veshjen, duke bërë që fatmirësisht të shmangej më e keqja.

Gjatë protestës së opozitës nga hedhja e molotovëve, lëndëve piroteknike dhe mjeteve të forta mbetën të dëmtuar edhe 16 punonjës policie të cilët morën ndihmë mjekësore në spital.

Pas protestës policia vuri në pranga 21 persona, të cilët akuzohen për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›