E Diel, 1 Nëntor 2026

Kultivim dhe trafikim i lëndëve narkotike, GJKKO jep dënimet për të akuzuarit

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar Bujar Brahajn me 6 vjet e 8 muaj burgim, pas gjykimit me procedurë të shkurtuar, për veprat penale “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Sipas vendimit të sotëm, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Luljeta Kolonja, Engjëllushe Tahiri dhe Luljeta Kole deklaroi fajtor Brahajn, duke e dënuar fillimisht me 10 vjet burgim për prodhim dhe shitje narkotikësh, si dhe me 2 vjet burgim për “Grup të strukturuar kriminal”.

Në bashkim të dënimeve u caktua një dënim i vetëm prej 10 vjetësh, i cili, në zbatim të gjykimit të shkurtuar, u ul në 6 vjet e 8 muaj burgim. Dënimi do të vuhet në një burg të sigurisë së lartë dhe në të do të llogaritet koha e qëndrimit në “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi”.

Po ashtu, gjykata deklaroi fajtor Ertjan Pjetërgjokaj për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal”, duke e dënuar me 8 vjet burgim, që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar u ul në 5 vjet e 4 muaj burgim. Dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Ndërsa i pandehuri Elton Ukaj u dënua me 7 vjet burgim për “Grup të strukturuar kriminal”, dënim i cili pas gjykimit të shkurtuar u ul në 4 vjet e 8 muaj burgim. Edhe për të, vuajtja e dënimit do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Shpenzimet procedurale u lanë në ngarkim të të pandehurve në mënyrë solidare. Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i tij.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›