E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionati Botëror i Peshëngritjes, Enkileda Carja fiton dy medalje të tjera

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Enkileda Carja i ka dhuruar Shqipërisë edhe dy medalje në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes në Ismailia (Egjipt), duke konfirmuar edhe një herë potencialin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm.

Carja garoi në kategorinë 69 kg, ku arriti të sigurojë dy medalje, duke u ngjitur dy herë në podium dhe duke treguar nivel të lartë në një konkurrencë të fortë ndërkombëtare.

Federata Shqiptare e Peshëngritjes në një postim në rrjetet sociale thekson se “nën drejtimin profesional dhe të përkushtuar të trajneres Eglantina Kalemi, Carja dëshmon se nuk është rastësi që u shpall së fundmi “Rising Star” e Europës, por një realitet i fortë i së ardhmes së peshëngritjes shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Me një performancë të shkëlqyer në arenën botërore, ajo përfaqëson denjësisht flamurin kuqezi, duke treguar karakter, disiplinë dhe nivel të lartë sportiv përtej moshës së saj”.

Medaljet e fituara iu dorëzuan nga vetë presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, në një moment krenarie për gjithë delegacionin shqiptar.

Duke përfunduar garën në kategorinë 69 kg, Enkileda Carja e mbyll këtë sfidë me një paraqitje dinjitoze dhe me dy medalje bronzi të merituara, duke shkruar një tjetër kapitull suksesi për peshëngritjen shqiptare.

Sipas FSHP ky sukses është dëshmi e punës së vazhdueshme dhe vizionit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për zhvillimin e talenteve të reja, si dhe një sinjal i qartë se Shqipëria po ndërton kampionë për të ardhmen.

“Shqipëria vazhdon të ngrejë lart flamurin e saj në arenën ndërkombëtare”, shkruan FSHP.

1 nga 5 /k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›