E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkoi pezullimin e dënimit, rrëzohet kërkesa e Goros nga GJKKO

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e paraqitur nga ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të mëparshëm gjyqësor ndaj tij.

Sipas njoftimit zyrtar, kërkuesi Jorgo Goro, më datë 31 mars 2026, kishte depozituar pranë gjykatës kërkesën me objekt “Pezullimin e ekzekutimit të Vendimit nr. 53, datë 30.07.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, vendosi rrëzimin e kërkesës si të pambështetur në prova dhe në ligj, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet gjyqësore t’i ngarkohen kërkuesit.

Ndaj këtij vendimi, pala e interesuar ka të drejtë ankimi brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, ishte dënuar më herët nga Shkalla e Parë e GJKKO me 2 vite burg, dënim i reduktuar në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Pas vendimit të Apelit, ai u vetëdorëzua në Komisariatin e Vlorës, ku iu ekzekutua masa “arrest me burg”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›